Mëngjesi i hershëm i kësaj të hëne pritet të nis me protesta në veri të vendit për të kundërshtuar sërish zgjedhjen e kryetarëve të rinj në katër komunat veriore.
Protesta është organizuar nga Lista Serbe, thotë një burim ndërkombëtar i Kanal10.
Ajo është paraparë të fillojë në orën 07:00 në Mitrovicë të veriut dhe dy komunat tjera, Zubin Potok e Leposaviq.
Siç thotë burimi, në protestë pritet të marrin pjesë strukturat paralele, e serbë tjerë që marrin ende për çdo muaj paga nga shteti serb.
Këto protesta vijnë pas atyre të së premtës në tri komunat veriore ku qindra serbë u përleshën me policinë e Kosovës, derisa kjo e fundit asistonte kryetarët e rinj shqiptarë në objektet e tyre komunale.
Ata kundërshtuan dhunshëm kryetarët e sapozgjedhur duke gjuajtur me gurë në drejtim të Policisë e cila u detyrua të përdor gaz lotsjellës e shok bomba.
Në këto protesta lëndime të lehta trupore morën pesë zyrtarë policorë të PK-së.
Një ditë më pas, dje Lista Serbe i ka kërkuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq tërheqjen nga procesi i dialogut me Kosovën.
Situatë e qetë në veri është paralajmëruar të ketë qenë gjatë ditës së sotme, derisa njësitet policore po vazhdojnë ende të qëndrojnë pranë objekteve komunale të kryetarëve të rinj