Në komunat, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kryetar e zgjedhur nuk dolën në vendin e komunës, por nëpër objekte po vazhdojnë të qëndrojnë simbolet shtetërore të Kosovës, për këtë realitet të ri dhe për sigurinë po përkujdesen forcat speciale të Policisë së Kosovës, dhe forcat e KFOR-it e të EULEX-it.
Flamurin e mbanë në dyqanin e tij, por edhe në bluzë, sidomos kur e heton që po incizohet nga kamera.
Dritaret e shtëpive, ballkonet, rruga kryesore, e fontana në qendër të Zubin Potokut janë mbuluar e ngjyrosur me flamuj të Serbisë.
I vetmi flamur ndryshe, që përfaqëson diçka tjetër, nga dita e premte valon në objektin më të rëndësishëm.
Ata që e vendosën po kujdesen që të mos hiqet nga shtiza. Njësitet Speciale operative dhe intervenuese të Policisë së Kosovës, e kanë blinduar zonën.
Përpos flamujve serb ata kanë larguar edhe kamerat e sigurisë të cilat janë kontrolluar nga strukturat paralele.
Megjithatë kjo nuk po u pengon serbëve lokalë, të paktën nga ajo që u pa të dielën, ata vazhduan ditën normalisht. Pos njësive speciale edhe këmbësoria e KFOR-it po vëzhgon çdo pëllëmbë të Zubin Potokut.
Situatë e njëjtë mbizotëron edhe në dalje të Zubin Potokut
Ndarja fillon nga këtu, lajmëtar është flamuri kombëtar.
Në hyrje të Zveçanit shqiponjës dy-krenare i bashkohet simboli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet nga i cili vijnë trupat që e sigurojnë këtë zonë.
Edhe rrugës për në Zveçan janë shtuar flamujt në ballkone.
Edhe këtu në shtizë është vënë simboli shtetëror i Kosovës. Situata mbetet e njëjtë, qetësi, pak qarkullim por pa tensione, njësi speciale të cilëve nuk iu ik nga syri asnjë lëvizje. Ndihmë do të kenë edhe nga kamerat e sigurisë, të cilat deri më tani i shërbenin dikujt tjetër.
Vizitat në objektin e komunës janë rralluar të dielën përpos njësive speciale në shërbim të sigurisë.
Ndryshe nga këtu në objektin e komunës së Leposaviqit ka pasur vizitë.
Ndonëse ditë pushimi, Lulzim Hetemi, mysafir e ka pasur ministrin Faton Peci.
I njëjti ka ndarë fotografi të takimit, dukë vënë në pah prezencën e simboleve shtetërore në zyrën në të cilën deri para disa muajsh shërbenin kryetar me tjetër qasje.
Kjo situatë po i pengon Petar Petkoviqit. Në stilin e tij kryenegociatori serb e ka quajtur pushtim futjen nën kontroll të këtyre objekteve nga autoritet e shtetit tonë.
Ndërkaq “leckë” të Kurtit e ka quajtur flamurin shtetëror të Kosovës, të siç propagandon ai populli serb do ta hedhë në koshin e plehrave.
Një flamur i ngjashëm me atë që po i pengon Petkoviqit bashkë me kryetarin e ri është vendosur në objektin e komunës së Mitrovicës së Veriut.
Edhe këtu Ministri i Bujqësisë është pritur nga kryetari Erden Atiq.
Për këtë të fundit qytetarë serbë kanë uratat për sukses, përkundër që vënë në pikëpyetje legjitimitetin e tij.
“Kam vetëm fjalë pozitive dhe i dëshiroj krejt të mirat në udhëheqjen e qytetit… jam i kënaqur, kur edhe qytetarët e tjerë, të cilët votuan janë të kënaqur edhe unë jam i kënaqur… Qytetarët ndihen të sigurt, nëse shëtisin, dalin nëpër kafiteri etj. Ata janë të sigurt”, ka thënë Svetomir Boshkoviq, qytetar.
Mendim ndryshe kanë banorët e Zubin Potokut të cilët të vetmen zgjidhje që kërkojnë është shtensionimi i gjendjes dhe kthimi në normalitet.
“Sa i përket individëve të zgjedhur për kryetarë të komunave, unë vërtet nuk i njoh. Mendoj se janë përfaqësues legjitim të partive të tyre… Ndërsa, a do të jenë qytetarët të kënaqur do të shihet. Unë shpresoj se deri në fund të këtij viti do të rregullohen gjërat, në radhë të parë të jetë gjithçka qetë dhe në kuadër të një marrëveshjeje politike, civilizuese, normale, gjithçka të zgjidhet ashtu siç duhet”, ka thënë Millena Jakshiq, qytetare nga Zubin Potoku.
Tensionet në veri të vendit u shtuan pasi njerëz të maskuar dhe banorë lokalë tentuan të pengojë kryetarët e zgjedhur, situatë e cila pa përdorim të dhunës, u menaxhua nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës.