E qetë por delikate po vlerësohet situata e sigurisë në katër komunat veriore nga Policia e Kosovës. Gjatë së dielës në Leposaviq ka shkuar ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili ka premtuar ndihmë për qytetarët e kësaj ane pa dallim etnie. Serbët e veriut kanë marrë mesazhe për mosdorëzim nga Serbia. Presidenti Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar javë të vështirë. E ministri i Mbrojtjes i Serbisë u ka bërë thirrje serbëve të veriut për kundërshtim paqësor të kryetarëve shqiptarë në veri.
Të qetë, por delikate, e ka vlerësuar gjendjen Policia.
Në Leposaviq janë larguar tërësisht kamionët që ishin vendosur nga protestuesit serbë, derisa një ditë më parë janë zëvendësuar kamerat nën mbikëqyrje të Serbisë me ato nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.
Po ashtu, polica ka kryer një kontroll edhe ndërtesat komunale.
Burimet e kohës kanë thënë se në këtë objekt janë gjetur armë, që policia i ka marrë bashkë me pajisje të memories kompjuterike.
Raport e përgjigje zyrtare policia nuk ka dhënë për atë që është gjetur në këtë komunë.
Po ashtu, policia janë parë gjatë ditës duke futur disa paketa në ndërtesën e Komunës së Zveçanit, por nuk është dhënë informata se çka ka pasur në to.
E ndonëse normalisht ditë pushimi, në zyrë ka dalë kryetari Lulzim Hetemi, i cili ka pritur ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin, dhe zëvendësministrin e Brendshëm, Blerim Gashani.
Në rrjetin social Facebook, Peci ka shkruar se e ka njoftuar kryetarin për projektet shumëmilionëshe të bujqësisë, me të cilat mbështeten qytetarët pa dallim etnie.
Por nga Serbia sërish ka pasur reagime për situatën në veri.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një video të shpërndarë në rrjete sociale, ka thënë se po vjen një javë e vështirë për Serbinë.
“Në të njëjtën kohë, java e ardhshme është e vështirë për të gjithë ne. Kemi shumë angazhime ndërkombëtare, bisedime me të gjithë liderët evropianë, me Macronin e Scholzin, e deri te lufta për popullin tonë në Kosovë dhe Metohi. Në fund, dua të falënderoj të gjithë njerëzit për mbështetjen e madhe, për faktin që njerëzit e kuptojnë se sa shumë luftojmë për Serbinë tonë. Dhe për ata që kanë frikë, të cilët pyesin nëse do të dorëzohemi dhe do të lëshojmë pe para presionit, përgjigjja ime është – nuk ka dorëzim, dhe dorëzimi kurrë nuk ka ndodhur”, ka thënë Vuçiqi.
Ndërsa ministri serb i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviq, ka thënë se situata është e qetë, porse, sipas tij, “tensionet mund të shpërthejnë në çdo minutë”.
Në programin e mëngjesit të TV PRVA ai ka thënë se pret vendim prej KFOR-it, siç tha, për “mbrojtjen e serbëve në Kosovë”, derisa bëri thirrje edhe për kundërshtim paqësor të institucioneve të reja komunale.
“Është e rëndësishme nëse serbët arrijnë të shprehin në mënyrë paqësore kundërshtimin e tyre ndaj asaj që po ndodh me ta, veçanërisht në katër komunat në veri, pa përshkallëzim të mëtejshëm”, ka thënë Vuçeviq.
Institucionet e Kosovës kanë marrë vërejtje të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare për aksionin e së premtes në veri.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti pas zhvillimeve në veri, tha se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë, por vlerësoi se çdo opsion tjetër përpos atij që ua mundësoi hyrjen në zyra kryetarëve të rinj të komunave, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë.
Kryeministri theksoi se shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do të duhej të ishte gjëja më normale e mundshme.