Mungesa e informatave nga shteti serb dhe mosgatishmëria për të bashkëpunuar, ka bërë që për afër tri vite të mos ketë gërmime në Serbi. Si pasojë e kësaj, shteti serb po vazhdon t’i mbajë të fshehur fatin e mbi 1 600 personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
E personat kompetent që merren me gërmime të të pagjeturve, e vlerësojnë si sfidues këtë çështje. Ata thonë se është e domosdoshme qasja në arkivat e institucioneve serbe.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, thotë për Ekonomia Online se në bazë të informacioneve, ekzistojnë mbetje mortore të dy viktimave të luftës në hapësirën e quajtur “varrezat e besimtarëve myslimanë” në veri të Mitrovicës.
“Në rastin e lokacioneve në Komunën e Zubin Potokut, ne jemi në shqyrtim të informatave plotësuese, në përpjekje për të saktësuar lokacionin e mundshëm për varreza masive në rastin që ne e quajmë si grupi i intelektualëve dhe të njëjtën kohë jemi duke punuar edhe në shqyrtim të informatave për mundësinë e saktësimi të dy lokacioneve meqë mbi bazën e të dhënave që ne kemi, duhet të jenë edhe mbetje mortore të dy viktimave të luftës në hapësirën e varrezave në veri të Mitrovicës në pjesën që njihet si ‘varrezat e besimtarëve myslimanë’”, thotë Gara.
Që nga 2021-ta, Gara thotë se nuk kanë arritur ta saktësojnë një lokacion për gërmime ndërmjet fshatrave Dreth-Kalludër. Thotë se aty gërmime ka pasur nga koha e UNMIK-ut.
Prandaj, Gara e sheh të domosdoshme qasjen në arkivat e institucioneve serbe.
“Në rastin e lokacionit mes fshatrave Dreth-Kalludër, ka pasur gërmime në vazhdimësi edhe gjatë kohës së UNMIK-ut, pastaj të EULEX-it edhe ne si institucione në vjeshtën e vitit 2021 kemi qenë të angazhuar në këtë lokacion, mirëpo fatkeqësisht deri më tani nuk është arritur të saktësohet lokacioni, mbi bazën edhe të mundësisë së lëvizjes së lokacionit ose kufomave për shkak siç e kemi thënë në vazhdimësi se ka një lloj hezitimi nga pala serbe për mosbashkëpunim. Prandaj është më së e nevojshme qasja në arkivat e institucioneve serbe dhe besoj se në bazën e këtij informacioni, ne do të arrijmë të saktësojmë lokacionin e mundshëm”, u shpreh ai.
Sfidues e sheh edhe Ditor Haliti, antropolog mjeko-ligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore. Ai thotë se puna e tyre varet shumë prej informatave.
“Po sepse puna jonë realisht varet shumë prej informatave dhe këto aktivitete fushore të gjitha janë të bazuar në disa informacione të caktuara. Informatat pastaj natyrisht se përpunohen prej policisë, dhe kjo e fundit bashkëpunon me Prokurorinë apo Gjykatën e të cilët e lëshojnë një urdhëresë, në bazë të cilës ne jemi të detyruar që të dalim dhe të gërmojmë dhe ta kryejmë punën tonë”, thotë Halliti.
Si shkak i mungesës së informacioneve, IML-ja është në pritje të informatave nga institucionet e drejtësisë.
Ai thotë se ekzistojnë dyshime të bazuara se akoma ka trupa të varrosur në Serbi. Për këtë, ai shpreson në bashkëpunim me palën serbe.
“Këtë vit realisht të planifikuara i kemi vetëm dy aktivitete fushore në kuptim të gërmimit, ky është i parë dhe i dyti do të jetë në Podujevë. Tjerat jemi duke punuar por në mungesë të informatave konkrete dhe të sakta, ne jemi të detyruar që të presim më tutje që policia dhe prokuroria ta kryejë punën e vet, në mënyrë që të lëshojnë urdhëresa të reja për këtë vit, që sigurisht që do të shkojmë dhe t’i adresojmë. Mirëpo neve që na shqetëson më së shumti janë mungesa e informatave nga shteti serb, sepse siç e dini 1 mijë trupa janë zhvarrosur dhe janë riatdhesuar nga territori serb dhe ekzistojnë dyshime të bazuara se akoma kemi trupa atje që janë të varrosur dhe të fshehur”, u shpreh ai, teksa thotë se për gërmimet në Podujevë, viktima nuk lidhet me luftës e fundit por që është në listën e personave të zhdukur.
“Aty dyshohet për një viktimë por që nuk lidhet me kohën e luftës mirëpo është në listën e personave të zhdukur dhe si e tillë duhet të adresohet nga ne, në mënyrë që ta zhvarrosim, ta identifikojmë identitetin dhe pastaj ta largojmë edhe nga lista e personave të zhdukur. Nuk është ndonjë rast që është i veçantë”, tha Haliti.