Analisti amerikan, Edward Joseph, i ka cilësuar të ngutura reagimet për deklaratën e SHBA’së që dënoi veprimet e Kosovës në Veri, duke shtruar një pyetje, transmeton Gazeta Metro.
Ngjarjet e djeshme në Veri të vendit nxitën reagime ndërkombëtare që këtë herë ishin në dënimin e veprimeve të autoriteteve kosovare, derisa kanë kërkuar nga palët që zgjidhjet të dalin nga procesi i dialogut.
Ndaj kësaj ka reaguar analisti Edward Joseph.
“Në nxitimin për të dënuar SHBA-në që dënoi veprimit e Kosovës në veri sot, neglizhohet 1 pyetje: po sikur dikush – serb apo shqiptar – të vritet? Më kujtohet mirë në vitin 2011, aksioni i pakoordinuar i Prishtinës në veri që la të vdekur një oficer të Policisë Speciale kosovare”, ka shkruar ai në Twitter.
Ai tha se rezultati qe erdhi nga ky rast ishte tragjedi për familjen e oficerit të vrarë nga sulmuesi serb, atmosferë e ngarkuar e muaj me barrikada serbe dhe më shumë dhunë nga serbët, duke plagosur ushtarë të KFOR-it.
“Çështja është se dy gjëra mund të jenë të vërteta: Vuçiq mund të jetë i keq dhe Kurti i papërgjegjshëm. Po, fajin e ka Beogradi: regjimi kriminal në veri sabotoi zgjedhjet e 23 prillit; vazhdimi i bojkotit të institucioneve të Kosovës; përmbysja flagrante e Marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme të Ohrit”.
Por, Joseph kritikon edhe reagimin e SHBA-së që tha se do të ketë pasoja në marrëdhëniet mes Kosovës e SHBA-së.
“Destruktiviteti i Beogradit do të thotë se SHBA-ja ka tejkaluar reagimin duke kërcënuar “pasojat për marrëdhëniet” me Prishtinën. Cilat janë pasojat për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë? Vulin (dhe Dodik) në Moskë simbolizojnë një politikë të Vuçiqit shumë më të dëmshme sesa manovra e pamatur e Kurtit”.
Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar menjëherë ndërkombëtarët. I pari që reagoi ishte Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Hovenier dënoi veprimet e autoriteteve të shtetit të Kosovës për t’i futur kryetarët e rinj në objektet e komunave.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet që po vazhdojnë nga autoritetet kosovare për të hyrë në objektet e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndalen menjëherë”, shkroi Hovenier.
Pak më vonë reagoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Ai shkroi në Tëitter se “dënon fuqishëm veprimet e Qeverisës së Kosovës” që sipas Blinken po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin.
Pas reagimeve të SHBA-së, kanë reaguar përmes një komunikate të përbashkët edhe shtetet e QUINT-it. Reagim ka pasur edhe nga NATO e KFOR.