Nga viti i kaluar punëtorët shëndetësorë në sektorin publik kanë mbetur pa kontratë kolektive sektoriale. Një draft të këtij dokumenti të rëndësishëm tashmë Federata Sindikale e Shëndetësisë e ka dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe po presin që brenda qershorit të finalizohet kontrata e re, për të cilën si organizatë kanë propozuar edhe disa risi si ajo për pagën e 13-të për punëtorët shëndetësorë.
Ndërsa, vetë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi se janë duke punuar në këtë drejtim dhe se kjo kontratë do të zbatohet në përpikëri.
Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri deklaron se kërkesat e punëtorëve shëndetësorë janë pothuajse të njëjta, veçse tashmë është përfshira edhe pagesa e shujtës si dhe paga e 13-të.
Ajo tha se tashmë pas dërgimit të draftit të kontratës kolektive në Ministrinë e Shëndetësisë, presin që së shpejti të zhvillojnë një takim në kuadër të dialogut social.
Imeri: Kemi hartuar një draft-kontratë
“Jemi në procedurë të bërjes kemi bërë një draft-kontratë e kemi dërguar në ministri dhe po presim takimin e radhës për të biseduar për kërkesat të cilat i kemi shkruar në draft-kontratën kolektive sektoriale… Tash është risi shujta e cila nuk ka qenë pjesë e kontratës kolektive të cilin e kemi futur tani në draft-kontratë, kemi kërkuar rrezikshmëri, gatishmëri dhe shumë benefite të tjera që po presim të finalizohet shpejtë. Ne e kemi kryer anën tonë tash është duke e analizuar zyra ligjore e MSH dhe po presim shumë shpejt takimin e radhës… Kemi kërkuar pagën e 13-të dhe pagat jubilare të cilat kanë qenë pjesë edhe asaj kontratës kolektive të shohim se çka po nxjerrim prej kësaj. Por besoj që punëtorët shëndetësorë e meritojnë pagën e 13-të sepse ju e dini se me çfarë orari punojnë”, theksoi ajo.
Kryesindikalistja Imeri shprehet optimiste që brenda muajit qershor të finalizohet kontrata e re kolektive sektoriale.
Sipas saj, punëtorët shëndetësorë janë të revoltuar pasi nga viti i kaluar janë pa kontratë kolektive, madje Imeri thotë se po kërkojnë edhe protesta e greva.
Imeri: Besoj brenda qershorit duhet ta kemi kontratën kolektive sektoriale