Policia e Kosovës hyri në objektet komunale të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit – komuna të banuara me shumicë serbe – përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh.
Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka hyrë tashmë në zyrën e komunës.
Policia përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale.
Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërsa në vendngjarje u panë edhe automjete të ndihmës së shpejtë. Sipas një njoftimi të policisë, pesë zyrtarë policorë atje pësuan lëndime trupore.
Sipas informacioneve nga terreni, forcat policore aktualisht janë duke hyrë në objektin e komunës së Leposaviqit. Edhe atje u përdor gaz lotsjellës dhe shok-bomba për shpërndarjen e protestuesve.
Shtetet e Bashkuara thanë se i dënojnë veprimet e autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.
“Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, shkroi ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, në Twitter.