Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë vënë në gjendje gatishmërie në rast të përshkallëzimit të situatës në veri të vendit, pasi sot serbët lokalë kanë bllokuar hyrjet në ndërtesat komunale në Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objekte.
Një numër i policëve kanë kaluar nga orari 8 orësh në atë 12 orësh, teksa janë vënë në aktivizim me qëllim të përgatitjes për situata që mund të përshkallëzohet në veri të vendit dhe jo vetëm, në rast se nuk ka ndërhyrje nga aleatët ndërkombëtarë.
Ndryshe, dy kamionë janë vendosur tek ndërtesa e Komunës së Leposaviqit. Njëri nga ta ka qenë i ngarkuar me gurë, të cilët janë zbrazur tek ndërtesa e Komunës.
Përreth ndërtesës janë grumbulluar dhjetëra qytetarë serbë dhe po ftohen edhe të tjerë që t’u bashkohen. Ndërkohë që aty janë duke qëndruar edhe tri vetura të KFOR-it dhe dy autoblinda të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit, teksa janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.
Pas të shtënave para komunës së Zveçanit, serbët e tubuar janë dëgjuar duke thirrur “ubij”, që në shqip do të thotë “vrite”.
Policia ka njoftuar se ka qenë duke i asistuar kryetarët e rinj të Komunave të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin-Potokut të hyjnë në objektet e ndërtesave komunale.