Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka reaguar pas tensionimit të situatës në veri.
Haziri përmes një postimi në Twitter ka thënë se duhet me durim të përballohet kjo gjendje teksa ka kërkuar që të mos ketë provokime në mënyrë që gracka politike të mos bëhet humnerë.
“Përkitazi me gjendjen në komunat veriore të Mitrovicës: Ne duhet të përmbahemi e me durim ta përballojmë gjendjen e trazuar me porosinë që të mos provokoheni dhe mos lejoni që gracka politike të bëhet humnerë”, ka shkruar Haziri.
Sot është lëshuar alarmi në veri, ku para ndërtesave të këtyre komunave janë mbledhur qytetarët serbë për të kundërshtuar futjen e kryetarëve të rinj në këto objekte.
Po ashtu në Zveçan dhe Zubin Potok, ka pasur edhe përleshje në mes të serbëve të mbledhur dhe Policisë të Kosovës, ku janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.