Një ngjarje e rëndë i ka ndodhur sot një familje nga Suhareka, ku humbi jetën një foshnje, e cila kishte lindur këtë vit. Fëmija u dërgua pa shenja jete në Emergjencën e Studenqanit, ku u konfirmua vdekja, teksa Policia ka nisur hetimet.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se për një kohë të caktuar foshnja ishte trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte mbajtur në inkubator e më pas ishte liruar.
Por për shkak të gjendjes shëndetësore që dyshohet se i ishte përkeqësuar pasditen e sotme, familja e kishte dërguar në QKMF, por fatkeqësisht pa shenja jete, raporton Sinjali.
Pas ekzaminimeve për shenja vitale, mjeku e kishte konstatuar se foshnja ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion dhe të iniciohet rasti si “Hetim i vdekjes”.