Dy skuadrat me traditë të madhe në hendbollin e Kosovës, Trepça dhe Besa Famgas, do të përballen sonte (e enjte) në “Minatori” në ndeshjen e dytë finale. Vendasit synojnë ta barazojnë rezultatin e fitoreve në 1-1, ndërsa klubi nga Peja të shpallet kampion. Ndeshja do të fillojë në orën 20:15.
Ndeshja e dytë e serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll zhvillohet sonte (e enjte) në mes të Trepçës dhe Besa Famgas. Ndeshjen e parë e ka fituar skuadra pejane. Klubi mitrovicas është i vendosur ta shfrytëzojë terrenin vendas në “Minatori” dhe me përkrahjen e shikuesve ta barazojë serinë finale në 1-1.
Kapiteni i Trepçës, Sali Maxhera, ka thënë se janë optimist për ndeshjen e dytë dhe me ndihmën e tifozëve të zjarrtë “Torcida” të arrijnë fitore. “Trepça në ndeshjen e së enjtes paraqitet e motivuar për rezultat pozitiv. Luajmë në terrenin tonë. Tashmë është dëshmuar shumë herë që Trepça ka numrin më të madh të tifozëve në Kosovë. Një tifozëri e zjarrtë si ‘Torcida’ është motivi ynë më i madh. Jemi të kompletuar dhe të fokusuar 100 për qind në ndeshjen e së enjtes. Motivimi ka qenë që prej fillimit të kampionatit. Njëri qëllim është arritur me sigurimin e Kupës së Kosovës. Ai trofe na ka shtuar motivin edhe për kupën tjetër, atë të kampionit”, ka thënë Maxhera.
Te Besa kanë shprehur optimizëm se do ta vazhdojnë dominimin në elitën e hendbollit të Kosovës. Egzon Gjuka, kapiten i skuadrës pejane, ka thënë se Besa në secilën ndeshje ka udhëtuar për fitore dhe kjo nuk do të ndryshojë as të enjten kur shkon në Mitrovicë për ndeshjen e dytë finale. “Besa Famgas në çdo ndeshje ka udhëtuar vetëm për fitore. Kur ta shtojmë faktin se nga udhëtimi në Mitrovicë mund të kthehemi si kampionë, atëherë vullneti dhe dëshira për këtë ndeshje është edhe më i madh. Trepça këtë vit ka qenë skuadër e organizuar mirë, aq sa e kam parë. Ndeshjet me Trepçën ishin të forta dhe besoj se dhe kjo do të jetë interesante. Por këtë edicion jemi 5-1 në favorin tonë dhe kjo dëshmon se jemi favoritë ndaj skuadrës mitrovicase”, ka thënë Gjuka. “Ka shumë vjet që Besa e ka thënë fjalën kryesore në hendbollin e Kosovës. Peja ka qenë destinacioni i pothuajse të gjithë trofeve në të gjitha kategoritë në hendboll. Këtë vit kemi bërë një lëshim të madh në finalen e kupës, por kjo nuk zbeh dominimin e skuadrës së Besës në hendbollin e Kosovës. Në Pejë jemi të bindur që ky dominim do të vazhdojë edhe për shumë vjet të tjera”, ka deklaruar Gjuka.