Ndërmjetësuesit e procesit të dialogut po presin nga Kosova që të paraqes edhe zyrtarisht një draft-statut për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Madje, Vuçiq i sugjeroi të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që të rilexojë se çfarë është shkruar në marrëveshjet e Brukselit, para se t’i kërkojë Kosovës një draft-statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Sipas të parit të Serbisë, vetëm një ekip i përbërë nga serbët është kompetent për hartimin e një draft statuti të tillë.
Njohësi i çështjeve politike, Belgzim Kamberi, vëren ndryshime në retorikën e Vuçiqit për shkak të problemeve të brendshme më të cilat po ballafaqohet ai.
Kurse, Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, thotë është i befasuar për mënyrën se si Perëndimi po i toleron këto deklarata të Vuçiqit, ndërsa në anën tjetër Kosova po përballet me presione të jashtëzakonshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Për një periudhë të gjatë Kosova është nën presion për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Gjatë kohës sa kam shërbyer si ambasador në Kosovë, i kam sugjeruar liderëve shtetëror që ta zbatojnë më shpejtë këtë marrëveshje në përputhje me ligjet e Kosovës, por kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë shikoni tani deklaratat e Presidentit serb, dhe se si ai po tolerohet nga komuniteti ndërkombëtar. Ai me fillim e bëri të qartë se ka vija të kuqe pavarësisht se e nënshkroi marrëveshjen e Ohrit, e mos të flasim për shumë marrëveshja të tjera që nuk i ka respektuar Serbia. Pra ka shumë presion mbi Kosovën, por e njëjta nuk mund të thuhet për palën tjetër. Kosova në asnjë formë nuk duhet të lejoj një Asociacion me kompetenca ekzekutive”, thotë ai.
Ndërkaq Profesori, Abit Hoxha, thotë se këto deklarata të Vuçiq-it duhet të merren me rezerva, sepse, sipas tij, i takon Kosovës ta propozojë një draft-statut për Asociacionin.