Kosovës i bien eksportet për 16.9 për qind, derisa gjatë muajit prill 2023 janë importuar rreth 450 milionë euro mallra.
Sipas raportit “Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ), prill 2023“, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovë (ASK) thuhet se volumi i deficitit është 381.7 milionë euro.
Eksporti mbulon importin me 15 për qind.
“Të dhënat tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 0.2 për qind në muajin prill 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 380.9 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 381.7 milionë eurosh në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 15 për qind”, thekson ASK-ja, përcjell Telegrafi.
“Eksporti i mallrave në muajin prill 2023 kishte vlerën 67.2 milionë euro, ndërsa importi 448.2 milionë euro, që është një rënie prej 16.9 për qind për eksport, si dhe 3.1 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022”, shton raporti.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 24.3 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, ndjekur me 18.7 për qind që përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 13.8 për qind e përbëjnë plastika dhe goma, 8.6 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 7 për qind e përbëjnë produktet minerale dhe 4.8 për qind e përbëjnë tekstili.
Ndërsa, grupet kryesore për import e përbëjnë produktet minerale me 14.2 për qind, pasuar me 12.2 për qind që e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11.2 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.7 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9.4 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 7.6 për qind e përbëjnë produkte të industrisë kimike dhe 6.7 për qind e përbëjnë plastika dhe goma.
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 19.5 milionë euro ose rreth 29 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 23.9 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Gjermania me 10.3 për qind, Italia me 3.9 për qind dhe Holanda me 3.2 për qind”, vijon ASK-ja.
Derisa importet ishin rreth 199.5 milionë euro ose 44.5 për qind e importeve të përgjithshme me një rënie prej 1.6 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 14 për qind, Greqia me 6 për qind dhe Italia me 5.5 për qind.
Në muajin prill 2023, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 27.0 milionë euro ose 40.1 për qind të eksporteve të përgjithshme me një rënie prej 14.6 për qind. Partnerë kryesorë për eksport ishin Maqedonia e Veriut me 16 për qind, Shqipëria me 12.4 për qind, Serbia me 6.7 për qind dhe Mali i Zi me 3.6 për qind. Në anën tjetër, importet arritën në 78.3 milionë euro ose 17.6 për qind të importeve të përgjithshme me një rritje prej 2.1 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia me 6.1 për qind, Shqipëria me 5.6 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 4.6 për qind.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20.7 milionë euro ose 30.9 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden SHBA-ja me 14.6 për qind dhe Zvicra me 9.2 për qind.
Në fund, raporti thotë se importet e Kosovës me këto vende arritën në 170.6 milionë euro ose 38 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 15 për qind dhe Kina me 9.4 për qind.