Rezultatet e Testit ndërkombëtar për lexim PIRLS 2021 (Progress in International Reading Literacy Study), i cili u mbajt në qershor të vitit 2021, ka treguar se nxënësit në Kosovë nuk qëndrojnë mirë me lexim.
Rezultati i Kosovës është 421 pikë në renditje, mesatare kjo dukshëm e ulët.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se këto rezultate rikonfirmojnë nevojën për përmirësim dhe veprim të menjëhershëm të të gjitha institucioneve.
Edona Kutleshi – Maliqaj, këshilltare për media në MASHT, ka thënë për Telegrafin se tashmë kanë marrë masat e nevojshme.
“Rezultatet e këtij studimi janë gjeneruar nga të dhënat e mbledhura gjatë vitit shkollor 2020-2021. Këto rezultate e rikonfirmojnë nevojën për përmirësim dhe veprim të menjëhershëm dhe intensifikimin e bashkëpunimit të të gjitha institucioneve përfshirë prindërit, mësimdhënësit, e shoqërinë civile. Të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi arsimor, MAShTI ka ndërmarrë masa që kanë synim rritjen e cilësisë në arsim dhe të cilat presim të reflektohen në testimet e ardhshme”, theksoi ajo.
Ajo përmendi disa nga veprimet që kanë ndërmarrë si Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
“Ndër veprimet që kemi ndërmarrë si Ministri janë: hartimi i kujdesshëm i politikave arsimore që përqendrohen në përmirësim të sigurimit të cilësisë në arsim siç janë: miratimi i Strategjinë për Arsim 2022-2026, miratimi i Pakos ligjore për licencim dhe zhvillim profesional të mësimdhënësve, rritje e pagave të mësimdhënësve me Ligjin e ri për paga”, tha ajo.
Gjithashtu, ajo deklaroi se kanë paraparë edhe një fond 1 milion euro për trajnimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve.
“Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar zhvillimit profesional të mësimdhënësve. Përveç rritjes së pagave për mësimdhënës, kemi paraparë fond 1 milion euro në trajnimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve, duke u siguruar që ata të kenë njohuri dhe aftësitë e kërkuara në linjë me zhvillimet e fundit. Po ashtu, është hartuar legjislacioni për zhvillim profesional dhe aprovim të programeve trajnuese për mësimdhënës. Për herë të parë, kemi paraparë licencën e avancuar për mësimdhënësit më meritorë dhe është ndarë buxheti për këtë”, theksoi tutje ajo.
Kutleshi – Maliqi shtoi tutje se kanë miratuar Ligjin e ri për tekste shkollore.
“Kemi filluar rishikimin e teksteve për lëndët e gjuhës shqipe dhe matematikës dhe do të vazhdojmë edhe me lëndët tjera. Kemi lejuar tekstet alternative”.
Gjatë deklaratës së dhënë për Telegrafin, ajo bëri të ditur se për promovimin e leximit po punojnë në furnizim të bibliotekave.
“Për promovimin e leximit po punojmë në furnizim të bibliotekave me tituj librash për nxënës e mësimdhënës për të krijuar mjedise ku stimulohet leximi. Po investojmë në infrastrukturë arsimore, duke garantuar qasje në internet të sigurt dhe të shpejtë që përdoret për të siguruar qasje në burime të leximit”, përfundoi ajo.
Ndryshe, edhe njohësit e çështjeve të arsimit, kanë vlerësuar se duhet të ndërmerren masa të nevojshme në mënyrë që të ketë përmirësim në sistemin arsimor.
Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, rezultati i PIRLS është në koherencë me rezultatin e PISA, apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve – test ky i cili e ka nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore në vitin 2015 dhe në vitin 2018.
“Edhe pse i realizuar në kohë pandemie, në rastin e Kosovës, rezultati i PIRLS është në koherencë me rezultatin e PISA-s në fushën e leximit dhe na vendosë në një pozitë jo të kënaqshme. Me këtë rast duhet marrë parasysh faktin se PIRLS realizohet me nxënësit e klasës së katërt dhe fokusohet në aftësitë për të kuptuar dhe interpretuar tekste, ndërkaq PISA realizohet me fëmijët 15-vjeçarë dhe mat aftësinë për t’i zbatuar njohuritë dhe shkathtësitë në praktikë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja ka deklaruar se këto rezultatet nuk janë befasi, duke kritikuar kështu institucionet për neglizhencë për nxitje të të lexuarit.
“Ngecja në lexim e nxënësve kosovarë nuk është befasi, por as neglizhenca institucionale për nxitje të të lexuarit në shkollat tona nuk është befasi”, u shpreh Qelaja, teksa shtoi se të lexuarit duhet të nxitet në çdo lëndë mësimore dhe atë si përkushtim e përgjegjësi e çdo mësimdhënësi.