Senatori amerikan Chris Murphy, në konferencën për media pas takimit që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet këtë vit.
Senatori ka deklaruar edhe se, me zbatimin e kësaj marrëveshjeje mundësohet lëvizja drejt normalizimit i cili do të çojë edhe drejt njohjes së ndërsjellë.
“Koha ka shumë rëndësi, është viti kur duhet të kryhet kjo çështje, dhe të mundësohet lëvizja drejt normalizimit që do të çojë të njohja e ndërsjellë. Mandej na vjen mirë për planet tuaja për zbatimin e kësaj marrëveshje”, ka thënë senatori amerikan.
Ai ka deklaruar edhe se arsyeja e qëndrimit të tij në Kosovë, së bashku me senatorin tjetër Gary Peters , është sepse SHBA’të nuk kanë mik më të madh se Kosova.
“Jemi këtu në rajon për një javë dhe nuk është koincidencë që jemi këtu sepse nuk kemi më të madh se këtu”, ka thënë ai.
Pos këtyre, senatori Murphy ka theksuar edhe se, marrëveshja me Serbinë ka të bëjë me disa zgjidhje të vështira.
Ai ka potencuar edhe se Serbia duhet të ndalojë pengimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe Kosova të krijojë Asociacionin.
“Na vjen shumë mirë për marrëveshjen që e keni arritur me Serbinë. E dimë që këto kanë të bëjnë me disa zgjidhje të vështira për të dy palët. Serbia duhet të ndalojë që të mos pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe mendojmë se është e kuptueshme që komunat me shumicë serbe të kenë njëfarë mundësie për të bashkërenditur shërbimet që ofrojnë”, ka thënë senatori në konferencë.