Partia Demokratike e Kosovës ka denoncuar Qeverinë Kurti, përkatësisht ministrin e Ministrisë së Administrimit dhe Pushteti Lokal, Elbert Krasnqi se është duke ushtruar presion ndaj dy kryetarëve që vijnë nga kjo parti në veri. Ndaj Izmir Zeqirit, i cili ka fituar në komunën e Zubin Potokut dhe Ilir Boletinit që fitoi në Zveçan.
Se ka pasur presion për ndryshim të datës dhe lokacionit për betim për Gazetën Insajderin e ka konfirmuar kryetari i Zubin Potokut nga radhët e PDK-së, Izmir Zeqiri.
Ai tha se MAPL ka kërkuar që ceremonia të mos mbahet në komunë por në një lokacion tjetër, për shkak të sigurisë.
“Unë kërkojë harmonizim me qeverinë, por është e vërtetë që kemi pasur presione për ndryshimin e datës dhe të vendit, nuk po e shoh si një punë që nuk do të kryhet besoj që do kryhet e shkojë mirë”, ka thënë Zeqiri.
“Ministria po thotë me mbajtë në zyrën komunale për komunitete që ndodhët në Qabër, ku e kemi një sallë të këtyre ku punojnë disa dikastere dhe ministria është e përcaktuar për këtu”, tha ai derisa shtoi se “Po është puna e sigurisë, teknikisht nuk janë të përgatitur duhet ndryshim goxha i madh aty në komunë për shkak të stafit që është brenda…”.
Zeqiri ka thënë se ai vet është orientuar për ta mbajtur ceremoninë në Komunë, por siç thotë ai përgatitjet teknike nuk janë në dorën e tij, e që nuk ka as kushte teknike që të zhvillohet brenda Komunës së Zubin Potokut.
I pyetur nëse i është dhënë ndonjë datë se kur do të betohet, ai tha se pret që një gjë e tillë të ndodhë nga mesi i javës
“Deri kah mesi i javës besoj do të kryhet si procedurë”, tha shkurt ai.
Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kryetari i Zveçanit, Ilir Boletini por i njëjti ka thënë se gjatë ditës do të dalë me një sqarim për këtë çështje.
Ka qenë anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike e Kosovës, Betim Gjoshi, i cili të dielën deklaroi se që disa ditë që dy kryetarët e komunave nga radhët e PDK-së, të cilët kanë fituar në Zveçan dhe në Zubin Potok, po përballen me presion dhe nënçmim nga nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Të dy komunat kanë thirrur seancat solemne për dhënien e betimit, por, Ministri i Pushtetit Lokal dhe zyrtarë të kësaj ministrie, kanë ushtruar vazhdimisht presion për ndërrimin të datës dhe lokacionit për mbajtjen e seancave”, shkruante ai në Facebook.
Sipas tij, këto veprime të këtyre zyrtarëve nuk janë të bazuara në asnjë arsye legjitime, të cilën, “ne do ta respektonim pa asnjë problem”.
Ndërkohë, sot ka reaguar vet ministri, Elbert Krasniqi i cili për Telegrafin ka thënë se nuk qëndrojnë pretendimet e Gjoshit, e se janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e zgjedhur dhe se nuk kanë asnjë problem nga ana e Ministrisë.
Nga katër kryetarët e zgjedhur në komunat veriore deri tani është betuar vetëm Erden Atiq nga radhët e LVV-së në Mitrovicën e Veriut.