Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kulturor për Dialog dhe Zhvillim thotë se Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, llojllojshmëria e së cilës sot shprehet në formë të krijimtarisë materiale dhe shpirtërore, e trashëguar nga e kaluara jonë.
Kurti thekson se janë bërë hapa të mëdhenj për të dalë nga periudha e emergjencave e që siç shprehet kryeministri “objektivi ynë i radhës është menaxhimi dhe funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore”.
Shkrimi i plotë:
Respektojmë diversitetin kulturor, promovojmë historinë e identitetin, mbështesim zhvillimin e paqen
Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, llojllojshmëria e së cilës sot shprehet në formë të krijimtarisë materiale dhe shpirtërore, e trashëguar nga e kaluara jonë. Përfitimet për shoqërinë nga mbrojta e trashëgimisë kulturore janë të shumta.
Kemi restauruar dhe vazhdojmë të restaurojmë xhami, hamame, teqe, kisha katolike, kisha ortodokse, zona historike, kulla e shtëpi tradicionale, mulli, ndërtesa historike e publike për të promovuar harmoninë ndër-fetare si vlerë universale të shoqërisë sonë dhe historinë tonë të pasur kombëtare e shoqërore.
Shumë punë janë bërë dhe akoma më shumë punë na presin në fuqizimin e muzeve publik ku ruhen dëshmitë materiale të lashtësisë, dhe pasqyrohen traditat e vlerat e trashëgimisë shpirtërore kulturore të popullit tonë.
Vazhdojmë me gërmime profesionale në lokalitetet tona arkeologjike, ndërsa ato po i bëjmë edhe me plane e njësi menaxhimi për t’i pritur më mirë vizitorët dhe edukuar më drejt fëmijët e të rinjtë tanë.
Kemi bërë hapa të mëdhenj për të dalë nga periudha e emergjencave. Objektivi ynë i radhës është menaxhimi dhe funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore.
Bashkë do të sigurohemi që pasuria jonë kulturore të përkthehet në mirëqenie për qytetarët tanë.