Gjatë konferencës për shtyp të Rita Orës, këngëtarja shqiptare me famë botërore është pyetur edhe në lidhje me koleget tjera të njohura botërisht, Bebe Rexha dhe Dua Lipa.
Ndër pyetjet drejtuar 27-vjeçares ishte se a do të mbante një koncert të përbashkët me dy këngëtaret tjera të famshme shqiptare.
“E di se të gjitha jemi shumë të zëna. E kam pasur rastin të takohem me Beben në New York dhe ajo tash është një prej shoqeve të mia më të mira. Ajo është shumë argëtuese dhe shumë e mirë”.
“Nuk e kam pasur rastin të takohem me Duan, ajo është duke e bërë turneun e saj dhe unë jam duke bërë turneun tim dhe gjërat e mia. Por, kurrë nuk i dihet, ‘asnjëherë mos thuaj kurrë’”.
“Më njihni mua, unë kam qenë këtu dhe jam e gatshme ta pranoj, jam e gatshme që të gjithë të më bashkohen dhe të bëjmë diçka të shkëlqyeshme”, është shprehur Rita.
Paraprakisht, ajo kishte thënë se ndihej shumë e lumtur se tash ka më shumë shqiptarë që po e përfaqësojnë suksesshëm Kosovën në botë.
“Jam shumë e lumtur që kemi këngëtare shqiptare në ditët e sotme, Bebe Rexha, Dua Lipa, që po gjejnë suksesin e tyre”.
“Dhe sa më shumë që e përfaqësojnë këtë vend, aq më mirë. Prandaj mesazhi im është që bëni çfarë mundeni, të qëndrojmë bashkë, të kënaqemi dhe ta përfaqësojmë Kosovën”, ka thënë mes tjerash këngëtarja.