Ka kohë që salla e Kuvendit të Kosovës nuk u mbush aq shumë sa të shtunën, veçse pak nga ta ishin deputetë.
Vendin e shumicës së të zgjedhurve të popullit e zunë shqiptarë nga 15 shtete, të cilët po marrin pjesë në konferencën “Diaspora flet”.
E kryekuvendari Glauk Konjufca, që të shtunën e ndryshoi vendqëndrimin, i quajti mërgimtarët themel për çdo arritje të Kosovës e Shqipërisë.
Ai potencoi edhe nevojën e një projekti për diasporën, i cili do të mundësonte siç tha, mbrojtjen e kulturës, identitetit dhe gjuhës shqipe. Por, pohoi se e di fajtorin e mungesës së tij.
“Edukimi dhe arsimi na e mundëson këtë sepse fëmijët e mërgimtarëve të cilët janë të lindur e që po rriten atje, të cilët janë të integruar shumë mirë dhe ne shoqëritë ku jetojnë, kanë mbi të gjitha nevojë për shkollën e cila është e organizuar, e cila drejtpërdrejt organizohet prej Republikës së Kosovës dhe e cila me keqardhje them dhe pak që besa edhe me faj, nuk ka arritur të organizohet deri tash”, u shpreh Konjufca.
E shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, foli rreth Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme që do t’ua lehtësoj votimin kosovarëve që jetojnë jashtë vendit.
Ajo tha se ekziston një dakordim i përgjithshëm që të gjitha partitë do e mbështesin. Derisa e shfrytëzoi rastin të kërkoj ndihmën e diasporës edhe për Fondin Sovran.