“Defender 23” është gati.
Ministri i Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, Niko Peleshi, ka njoftuar se “Task Forca Jug”, tanimë është e plotësuar edhe me ushtarakët amerikanë që i bashkohen trupave nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Peleshi bëri të ditur, se ata janë këtu për të marrë pjesë në trajnimet stërvitore “Defender 23”, duke ndihmuar që forcat amerikane dhe partnerët të jenë të trajnuar, të aftë për të vepruar së bashku dhe të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.
Sipas tij, prezenca e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e bën këtë strukturë edhe më të veçantë.
“Kjo stërvitje dita-ditës, po merr trajtën e një suksesi të madh”.
Më herët, Peleshi tha më 22 maj do të nisë stërvitja e përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-ve, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s.
“Shqipëria, si partner i besueshëm dhe si nyje strategjike e sigurisë rajonale, do të luajë një rol kyç në këtë stërvitje të rëndësishme. Krenarë për këtë rol, duke treguar mbështetjen dhe angazhimin tonë maksimal për të gjithë ushtarakët dhe personelin që janë pjesë e këtij misioni të rëndësishëm”
Sipas tij, “bashkëpunimi dhe mbështetja jonë, thelbësore për paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Dy vite më parë, Tirana ishte një nga organizatorët e “Defender-Europe 2021”, stërvitja në shkallë të gjerë që përfshinte 30 mijë trupa amerikane dhe forca të NATO-s nga 26 vende, e cila filloi më 4 maj dhe vazhdoi deri në qershor me disa stërvitje të lidhura në të gjithë kontinentin, shkruan AlbanianPost.
Kjo ishte stërvitja e parë e madhe nën komandën e ushtrisë së re të kombinuar të SHBA-ve në Evropë dhe Afrikë dhe u fokusua në demonstrimin e aftësisë së komandës për të shërbyer si komandë e komponentit tokësor të forcave të kombinuara/përbashkëta për operacione luftarake në shkallë të gjerë në tokë nëpër teatro të shumtë.
Qëllimi i stërvitjes “është të testojë aftësitë tona në gamën e plotë të përvojave që ne angazhohemi në ushtri”, do të shprehej gjenerali i Forcave Ajrore Tod Wolters, komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së, në ceremoninë e hapjes së stërvitjes më 4 maj në Portin e Durrësit.
Defender-Europe 2020, e cila do të ishte stërvitja më e madhe e Ushtrisë në Evropë në dekada, u zvogëlua pasi u përhap pandemia COVID-19.
Pas përfundimit të stërvitjes, autoritetet shqiptare do të fillonin menjëherë nga puna për të mirëpritur sërish një stërvitje po aq të madhe, nën emrin Defender 2023.