Ministri i Pushtetit dhe Administrimit Lokal (MAPL), Elberd Krasniqi nuk ka ndarë mendimin e njejtë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier sa i përket rolit të kryetarëve të rinj të komunave veriore.
Krasniqi tha se kryetarët e zgjedhur do të jenë kryetarë me kompetenca të parapara me ligj.
“Kryetarët e zgjedhur do të jenë kryetarë me ato kompetenca të parapara me ligj”, ka thënë Krasniqi në RTV Dukagjini.
Krasniqi pohoi se kryetari i sapo betuar në komunën e Mitrovicës së Veriut do të ketë mbështetjen e Qeverisë për implementimin e plotë të mandatit të tij.
“Çka është e rëndësishme, është që të gjithë kryetarët e tjerë dhe Atiqi do të ushtrojnë të gjitha kompetencat e parapara me kushtetutë dhe ligjet aplikative, keni parasysh që komuna e Mitrovicës së Veriut ka të drejta të deleguara shtesë, janë nën përgjegjësinë e atit, dhe kjo është e rëndësishme dh ne si Qeveri jemi në mbështetje të implementimin të mandatit të tij”, ka shtuar Krasniqi.
Ambasadori amerikan para betimit të kryetarit kishte deklaruar se kryetarët e rinj të komunave veriore do të kenë rol teknik dhe jo politik duke marrë parasysh pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje.
“Nga këndvështrimi politik, megjithatë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik, duke njohur kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën. Ne vazhdojmë t’i inkurajojmë ata që të jenë të përgjegjshëm ndaj nevojave të të gjithë zgjedhësve të tyre”, ka thënë ai.