Cermonia e betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u zhvillua qetë dhe pa tensione.
‘Por kjo qetësi që ishte sot nuk duhet të na bëjë të mendojmë se edhe betimi i tre kryetarëve të tjerë do të shkojë njëjtë’
Kështu tha për “Gazeta Blic” njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Drizan Shala.Shala tha se arsye pse sot nuk ka patur tensione, është se Beogradi do të taktizojë me arenën ndërkombëtare.
“Unë mendoj se situata e krijuar tanimë pas betimit të kryetarit të parë nuk duhet të na bëjë që ne të mendojmë që edhe betimi i tre kryetarëve të tjerë do të jetë në formën siç është zhvilluar dhe inaguruar kryetari i Mitrovicës së Veriut. Arsyeja pse sot ka qenë qetë, ka qenë në premisat e asaj që Beogradi zyrtar po dëshiron të taktizojë me arenën ndërkombëtare. Elementi i dytë më substancial mund të them është lidhshmëria dhe afërsia mes komunës së Mitrovicës së Veriut dhe asaj jugore ku patëm edhe shtim të forcave speciale dhe mundësia për ta kontrolluar çfarëdo situate të palakmueshme ka qenë në kohë reale dhe efektive nga ana e zyrtarëve policorë”
Shala tha se duke parë kërcënimin publik të bërë sot nga Lista Serbe, situata do të jetë më e vështirë gjatë inagurimit të tre kryetarëve të tjerë.
Ai tha se frika më e madhe do të mbetet tashmë mbrojtja e simboleve shtetërore të vendosura pas inagurimit të kryetarit të Veriut
“Sa i përket çështjes së tre kryetarëve, sipas asaj që është duke qarkulluar por edhe kërcënimit publik të bërë tashmë nga ana e përfaqësuesve të Listës Serbe, unë e shoh se situata do të jetë shumë e vështirësuar në shumë dimensione por të shpresojmë të mund ta mbajmë objektin e Mitrovicës së Veriut. Frika më e madhe do të mbetet tashmë mbrojtja e simboleve shtetërore të vendosura sot pas inagurimit të kryetarit të Veriut” deklaroi Shala.
Pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, ka reaguar nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq,Simiq i quajti sërish zgjedhjet e 23 prillit “të rreme”.