Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka bërë një reagim skandaloz pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, duke thënë fjalët se “nuk do të lejoj shkatërrimin e Serbisë dhe nuk do të merrni një Kosovë të pavarur, siç keni shpresuar”.
Vuçiq në një paraqitje të tij, siç raporton mediumi serb “Kosovo-online” ka thënë se nuk është rastësi që sot në Mitrovicën e Veriut u prezantua kryetari “që i mori 800 vota”.
“Çfarë do të thoshin për Serbinë nëse në zgjedhje do të dilnin tre për qind e votuesve? Na thonë se është çështje legjitimiteti kur dalin mbi 50 për qind. Unë dua që ju të dini se asgjë që ndodh sot nuk është rastësisht. Ata menduan dhe prisnin që ne t’ua dorëzonim Kosovën në një pjatë. Ata prisnin që ne të thoshim se jemi pajtuar dhe se kanë pasur të drejtë kur na kanë bombarduar fëmijët dhe na kanë prishur fabrikat. Por meqenëse ne thamë se nuk do të heqim dorë nga normat juridike ndërkombëtare, Kushtetuta e Serbisë dhe integriteti territorial i Serbisë filluan të krijojnë probleme.” – u shpreh ai.
Vuçiq po ashtu ka treguar se ka folur me përfaqësuesit evropianë gjatë ditës së sotme.
“Unë fola me përfaqësuesit evropianë sot dhe ata thonë se është një gabim. Gjithmonë është gabim, por në dëm të serbëve. Vetëm mos na bëni gjithmonë t’ju kuptojmë kur e keni gabim në dëmin tonë dhe në dëm të ligjit ndërkombëtar. Ne nuk kemi ku të shkojmë, jemi një vend i vogël dhe një komb i vogël, por kemi një karakteristikë që është të mbrojmë tonën, të mos kërkojmë asgjë nga të tjerët. Ne nuk do të heqim dorë nga ajo që është e jona dhe ju bëni presion sa të doni.” – ka thënë ai.
Ndryshe, Erden Atiq është betuar sot si kryetar i Mitrovicës së Veriut në një seancë solemne e cila zjgati shumë pak.
“Unë Erden Atiq betohem se do të kryej detyrat e mija dhe do ti ushtroj kompetenca e mija si kryetar i komunës veriore, me nder, besnikëri, në mënyrë të pa anshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të siguroj kushtet për një jetë të qetë.” – u shpreh ai.