Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, do të bëjë betimin më 19 maj në ndërtesën e kësaj komune. Me dhënien e betimit do të fillojë zyrtarisht mandati i tij.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.
Mbrëmë, Shtetet e QUINT-it kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.
QUINT-i përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes vete të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.
Deklarata e QUINT-it u bë një ditë para se kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, të bëjë betimin në ndërtesën e kësaj komune.
Duke theksuar nevojën për të shmangur veprimet apo iniciativat që nuk u shërbejnë interesave të popullit apo përkeqësojnë tensionet, deklarata e përbashkët thekson se kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale duhet të përmbahen nga ushtrimi i kompetencave përtej mandateve të tyre administrative.
Në deklaratë, vendet më me ndikim nënvizojnë se procesi i marrjes së detyrës nuk kërkon që kryetarët e bashkive të bëjnë betimin në zyrat komunale dhe se “nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – as nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet”.
“Të gjitha palëve të përfshira u kërkohet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose ndërmarrja e veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktet”, thuhet në deklaratë.
Shtetet e QUNIT-it, duke theksuar mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, potencuan nevojën për progres urgjent për krijimin e Komunitetit apo Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Dalja në zgjedhje në komunat veriore të Kosovës ishte pak më shumë se 3 për qind, dhe dy komuna u fituan nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe udhëheqjen e dy komunave të tjera e morën kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Hovenier: Të mos përdoret dhuna për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se nuk duhet përdorur forcën për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.
Ai i ka bërë këto deklarata, pasi të premten pritet që, kryetarët e rinj të komunave veriore të Kosovës, të bëjnë betimin dhe të nisin punën.
Kryetarët e rinj, të gjithë nga partitë shqiptare, janë zgjedhur në zgjedhjet e mbajtura në prill, në komunat veriore – të banuara me shumicë serbe – pas dorëheqjeve të kryetarëve paraprakë, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Këtë proces zgjedhor e kanë bojkotuar një pjesë e mirë e qytetarëve.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.
Thirrjet për bojkot i ka bërë Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kur Hovenier është pyetur se si mund të rrjedhë procesi të premten, ai ka thënë se
“Shtetet e Bashkuara besojnë se është me rëndësi që kjo gjë të bëhet në një mënyrë që shmang konfliktin dhe rritjen e tensioneve në veri”.
“Ne presim nga kryetarët e zgjedhur që të ushtrojnë rol teknik, në vend të atij politik, dhe të ndërmarrin veprime që nuk shihen si përshkallëzuese. Shembull, ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të fituar qasje në ndërtesa, të cilat mund të mos jenë të qasshme tani”.