Besnik Berisha, avokat i Naser Kelmendit, ka thënë se klienti i tij është dënuar pas asnjë provë të vetme me 4 vjet e 8 muaj burgim.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Kelmendi është shpallur të enjten, nga kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini.
Sipas aktgjykimit, koha e kaluar në privim lirie, do t’i llogaritet në shqiptimin e dënimit.
Sipas gjykatëses Çerkini, lidhur me nxjerrjen e këtij aktgjykimi, gjykata ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Si rrethanë rënduese, gjykata ka marrë përfshirjen e shumë personave, metodat e sofistikuara për fshehjen e narkotikëve, ndërsa si rrethanë lehtësuese është marrë koha e kaluar që nga kryerja e veprës penale, nga e cila kohë nuk është gjetur ndonjë vendim i formës së prerë që i akuzuari ka kryer ndonjë vepër të njëjtë apo të ngjashme.
Në pajtim me dispozitat ligjore të KPRK-së, i akuzuari Kelmendi është i detyruar të paguajë shumën prej 300 eurosh për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Kelmendi.