Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se është biseduar për procesin e dialogut, ku është theksuar se duhet të ketë zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike.
Po ashtu, thuhet se është folur edhe për takimin e së hënës në Bruksel mes kryenegociatorëve.
Zyra e Kryeministrit ka përmendur se është biseduar edhe për zgjedhjet e 23 prillit, megjithëse nuk është treguar qëndrimi i diplomatit Chollet në lidhje me këtë.
“Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.” – thuhet në njoftim.
Mes tjerash, bëhet e ditur se është folur edhe për vizitën e Administratores së USAID, Samantha Power në Kosovë.
“Bisedën e filluan me vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power, e cila bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MË. Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Poëer dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.” – bëhet e ditur.
Në fund të komunikatës, shkruan si vijon: “Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve”.
Ndërkohë, Chollet dje ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Chollet raportohej të ketë deklaruar se duhet të shmangen konfliktet dhe provokimet, në mënyrë që të vijojë puna për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.