Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala e ka konsideruar të gabuar vendimin e Qeverisë për të rekomanduar Kuvendit shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSH), Kimete Gashi.
Madje, Shala thotë Qeveria duhet ta tërheq këtë vendim dhe ta sjellë vendimin për të gjithë anëtarët e Bordit të OSHP-së.
Këto komente deputeti Shala i bëri në Komisionin për Buxhet gjatë shqyrtimit të Vendimit të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e Kimete Gashi, anëtare e OSHP-së.
“Konsideroj që ne nuk duhet të ngutemi dhe të bëjmë gabime. Nëse ka ardhur një vendim i Qeverisë, qeveria e ka të drejtën e vet, mendimin por është edhe pavarësia e parlamentareve me e dëgjua palën. Nuk ka vendim individual, nuk është as etike që ne tani ta drejtojmë gishtin tek një person që realisht ka paqartësi dhe për një vendim që ka qenë kolektiv”, tha Shala.
Ai theksoi se të gjithë kanë shkelë ligjin, dhe konsideron se Qeveria duhet ta tërheq këtë vendim dhe ta sjellë vendimin për të gjithë anëtarët, e jo siç tha ai të selektuar.
“Të tërit kanë shkelë ligjin, konsideroj se qeveria duhet ta tërheq këtë vendim dhe ta sjell vendimin për të gjithë, e jo kështu të selektuar, dikë më mik e dikë më armik, sepse nuk është as e ligjshme e as e moralshme”, theksoi ai.
Javën që shkoi, Qeveria në mbledhjen e saj ka propozuar shkarkimin e Gashit, lidhur me tenderin për insulina siç thuhet pa autorizim-marketingu. /KP/