Palestra e Sporteve ‘Minatori’ në Mitrovicë, nesër mbrëma si asnjëherë më parë pritet të jetë arenë e ‘nxehtë’ basketbolli.
Trepça dhe Peja, do të përballen në ndeshjen e pestë dhe vendimtare për titull të kampionit. 2:2 është seria finale, ndërsa të dy skuadrat e duan titullin pas një dekade.
Ky edicioni po përmbyllet me super sfidë, ndërsa ka qenë njëri nga më interesantit në vitet e fundit, kurse interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm, sidomos gjatë garave shtesë.
Në katër takimet finale, mitrovicasit dhe pejanët kishin fituar si vendas.
“Xehetarët” fituan 94:86 dhe 97:90, kurse verdhezinjtë fituan 107:79 dhe 87:83.
Të enjten mbrëma nga ora 20:00 palestra “Minatori” pritet të jetë e stërmbushur, ashtu si ka qenë në pjesën më të madhe të këtij edicioni, ndërsa përveç kampionit do të vendoset se, kush do të shpallet MVP.
Mitrovicasit për herë të fundit ishin shpallur kampionë më 2012, kurse pejanët një vit më vonë, 2013.
Në këtë edicion mitrovicasit fituan Kupën, kurse pejanët ishin finalistë të Ligës Ballkanike.
Për të depërtuar deri në finale, Trepça kishte eliminuar Bashkimin dhe Sigal Prishtinën, ndërsa Peja eliminoi Golden Eagle Yllin.