Pas vendimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës, ku i ndalua kompanisë “VisaMetric” që t’iu merr qytetarëve që aplikojnë për viza gjermane nga 30 euro për shërbime postare, tash pritet që kjo gjykatë të shqyrtojë padinë kolektive në të cilën kërkohet që të kthehen të gjitha fondet e qytetarëve nga kjo kompani.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin avokati, Flamur Abdullahu, i cili ka paditur këtë kompani në Gjykatën Komerciale.
Sipas tij, në padinë e dorëzuar në Gjykatën Komerciale ka kërkuar që të kthehen të gjitha fondet e qytetarëve, që siç tha ai “nuk kanë qenë dashur të paguhen”.
“Patjetër që kërkesa në gjykatë është që të gjitha fondet t’iu kthehen qytetarëve që iu janë marr në mënyrë të paligjshme nga ‘VisaMetric’, dhe për këtë kemi bërë padi kolektive. Unë si person kam dorëzuar padinë e interesit kolektiv dhe në këtë kam kërku kthimin e të gjitha pagesave që janë bërë për postën e cila nuk ka qenë dashur të paguhet”, ka thënë Abdullahu.
Tutje Abdullahu tha se: “Fakt është që ‘VisaMetric’ ka njoftuar që nuk do ta zbatojë më këtë praktikë, por do të zbatojë vendimin e gjykatës, por në realitet ‘VisaMetric’ ka bërë kërkime për disa muajt e ardhshëm në vazhdim. Kështu që, nëse dje keni bërë termin për vizë keni paguar 60 euro, nga to 30 euro për shërbimin postar, atëherë ju keni paguar për një termin të cilin do ta realizoni në dy, tre apo katër muajt e ardhshëm. Kështu që kjo i bie që edhe për terminët e ardhshme që do të realizohen, posta vetëm se është e paguar”.
Po ashtu, avokati tha ky vendim nga Gjykata Komerciale e që është zbatuar tash nga ‘VisaMetric’ ka qenë vendim për masë sigurie.
“Por në realitet për shkak se është vonuar pak procedura ligjore, ata kanë marr pagesa edhe për disa muaj në vijim”, ka thënë Abdullahu.
Ndryshe, Gjykata Komerciale e Kosovës, kishte marrë vendim ndaj kompanisë “VisaMetric”, të cilën e ndalon që të marrin nga 30 euro për shërbime postare qytetarëve që aplikojnë për viza gjermane.