Vushtrria vetëm pas dy vazhdimeve nga pesë minuta e mposhti Ferizajn me rezultat 29:28.
Gentiana Basholli ka shkëlqyer për ta dërguar Vushtrrinë në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Dhe golin e fitores e shënoi Basholli në sekondat e fundit.
Basholli i realizoi 12 gola, duke qenë e pandalshme për lojtaret ferizajase.
Ndeshja u luajt të martën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Ishte shumë dramatike, ndërsa nuk përfundoi pas 60 minutave lojë. Te Vushtrria u dallua edhe portierja Arjeta Maloku me shumë pritje. Burneta Rama i shënoi pesë gola, ndërsa nga katër i kishin Donita Kasumi e Agnesa Hysa.
Vushtrria e fitoi gjysmëfinalen me rezultatin 2:1. Ndeshjen e parë në Ferizaj e kishte fituar skuadra vendase. Më pas Vushtrria fitoi në palestrën e saj dhe finalen e siguroi të martën.
Në finale të plejofit Vushtrria takohet me Istogun. Ndeshja e parë është të shtunën mbrëma në Istog.