“Qeveria ka dështuar të implementojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që njeh pronësinë e tokave të Kishës Ortodokse Serbe rreth Manastirit të Deçanit”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare për vitin 2022, i publikuar të hënën.
Raporti, që flet për liritë fetare në Republikën e Kosovës, si pjesë e raportit të përgjithshëm për liritë fetare ndërkombëtarisht, ka përmendur edhe kritikat për qasjen e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, kur kanë komentuar vendimin e Gjykatës.
“Kisha Ortodokse Serbe ka kritikuar deklarimet e zyrtarëve kryesorë, përfshirë edhe presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti që kanë sfiduar vendimin e gjykatës”, thuhet në raportin e DASH-it.
Aty përmendet që kisha i ka konsideruar si “të rrezikshme dhe politikisht të papërgjegjshme”, deklarata e Kurtit dhe Osmanit.
Në raportin e DASH-it pjesa më e madhe i është kushtuar pikërisht çështjes së Kishës Ortodokse Serbe dhe mos-implementimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Zyrtarët e Komunës së Deçanit dhe qeveria qendrore vazhdojnë të dështojnë në zbatimin e vendimit të vitit 2016 që njeh pronësinë e Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë. Nuk kishte progres as këtë vit, përkundër kërkesë së përsëritur nga Kisha dhe komuniteti ndërkombëtar për Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dhe më gjerësisht për Qeverinë e Kosovës, që të regjistrojë pronësinë e Kishës”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2021 kishte deklaruar se të gjitha institucionet qeveritare janë të obliguara të zbatojnë vendimet dhe ta çojnë çështjen edhe te prokurori i shtetit.
“Deri në fund të vitit, prokurori nuk ka iniciuar për vepër penale kundër zyrtarëve përgjegjës për mos implementimin e deritanishëm të vendimit”, thotë raporti.
DASH për këtë çështje përmend edhe një intervistë të kryeministrit Kurti, të bërë në shkurt, ku thotë se “vendimi i gjykatës kushtetuese të Kosovës për kthimin e 24 hektarëve tokë manastirit është i bazuar në politiken diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të vitit 1997”, shkruan AlbanianPost.
Raporti gjithashtu flet për një deklaratë të bërë në qershor nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili publikisht kishte ri-theksuar se nuk e ka ndërmend ta zbatojë vendimin e gjykatës.
Në përgjigje të Ramosajt, “një grup i shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia ka bërë thirrje për zbatimin e të gjitha vendimeve të Gjykatës”.
Me 10 tetor, Manastiri i Deçanit kishte lëshuar një deklaratë ku thoshte se “pengesat e zbatimit të vendimit nga politikanët po shkel pavarësinë e gjyqësorit”, derisa në korrik në një komunikatë për media, federata pan-evropiane për trashëgiminë kulturore, një organizatë e shoqërisë civile, Europa Nostra, e pati futur Manastirin e Deçanit në listën e shtatë objekteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.
Çështja e manastirit të Deçanit është diskutuar në disa raste edhe nga zyrtarë amerikanë, të cilët kanë kërkuar zbatimin e vendimit.
Kurse vetë çështja e statusit të Kishës Serbe në Kosovë, për të cilën flet edhe raporti i DASH-it, u përfshi edhe në marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizim të raporteve.
“Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë një nivel të fuqishëm të mbrojtjes për vendet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në linjë me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në nenin 7 të marrëveshjes së arritur me 27 shkurt e bazuar në propozimin franko-gjerman.