Dialogu me Serbinë po ndryshon shumë nga qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti, e po ia ndryshon edhe gjuhën. Një ilustrim të mirë për një gjë të tillë përbën mënyra se si e ka kujtuar veprimtarin e shquar Ukshin Hotin vjet, dhe se si e kujtoi sivjet.
Me anë të një shkrimi në Facebook, kryeministri Kurti përkujtoi Hotin në 24-vjetorin e zhdukjes së tij.
Por, në këtë postim z. Kurti përdori termin e pranuar në një Deklaratë të kritikuar për Personat e Pagjetur: “të zhdukur me forcë”, ose anglisht “forcibly disappeared”.
“Me deklaratën për personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës.” – shkroi z. Kurti në përkujtimin për Ukshin Hotin.
Vitin e kaluar, megjithatë, ai përdorte termin “të zhdukur me dhunë.”
“(Ukshin Hoti) është edhe një nga 1617 personat e zhdukur me dhunë në Republikën e Kosovës, nga lufta e fundit.” – kishte thënë z. Kurti, saktësisht një vit më parë.
Deklarata
Në takimin e 2 majit që u mbajt në Bruksel, kryeministri Kurti dhe presidenti Serb Vuçiq ishin pajtuar për Deklaratën e Personave të Pagjetur.
Aty përmendej termi “të zhdukur me forcë” ose “forcibly disappeared” por i cili fillimisht nga Kurti përkthehej si “të zhdukur me dhunë”.
“Edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet personat e pagjetur të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë. Pra, forcibly disappeared është shprehja në anglisht e cila tashmë është dakorduar në Bruksel,” – shprehej kryeministri Kurti më 6 prill të këtij viti.
Mungesa e termit “enforced disappearence” (të zhdukurit me dhunë) shkaktoi reagime të ashpra në Kosovë, ndërkohë që presidenti serb Vuçiq krenohej se kishte arritur të shmangte çdo implikim ligjor.
“Ky sqarim është dhënë për të shmangur çdo keqkuptim apo interpretim të termit “zhdukje me forcë” si “zhdukje me dhunë” i cili ka një kuptim të qartë ligjor të përcaktuar nga Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Dhunë (2006),” – kishte thënë presidenti serb, në ditën e miratimit të deklaratës.
Kurti në statusin e sotëm pretendoi megjithatë se Serbia “ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive.”
Se si do të rrjedhin gjërat në vazhdim, mbetet të shihet. Por, fakti se Kurti nuk e përmendi fjalën dhunë sot, është mjaft indikativ.