Është gjetur serbi Goran Koçiç nga Shtërpca që ishte në kërkim që nga dita e premte.
Policia e Kosovës ka njoftuar me një komunikatë për media se 29 vjeçari serb është gjetur sonte nga Policia e Kosovës në rajonin e Suharekës, dhe i njëjti është në gjendje shëndetësore të mirë dhe pa lëndime.
Koçiç i është dorëzuar sonte familjes së tij, pas ekzaminimit mjekësor që iu bë.
“Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i rastit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj. Personi i gjetur i dorëzohet familjes së tij. Policia Rajonale e Ferizajt i falënderon ekipet e kërkim shpëtimit nga Forca e Sigurisë , “Shërbimin e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës”, policët e stacionit në Suharekë, e në veçanti qytetarët që ndihmuan për gjetjen e tij”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Ai është raportuar si i zhdukur nga oras 7:30 në mëngjesin e së premtes dhe vjen nga fshati Biti e Epërme në Shtërpcë.
Që nga ajo ditë, për të janë vënë në kërkim Policia e Kosovës, Ekipet e Kërkim Shpëtimit të Gardës Kombëtare nga FSK-ja dhe ekipe civile nga “Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës”, bashkë me familjarë dhe banorë të zonës.
Ai u gjet sonte rreth orës 21:00.