Është koha të mos mendohet për zgjedhje, por për probleme reale të qytetarëve. Kështu u shpreh zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi duke e komentuar deklaratën e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca se mund të ketë zgjedhje nëse insistohet për një Asociacion që s’pranohet nga Qeveria.
“Për ne është shumë e rëndësishme që dialogu të përfundojë me marrëveshje finale dhe njohje reciproke dhe çështja e zgjedhjeve nuk do të doja së paku të jetë diskutimi sepse shoqëria kosovare gjatë gjithë kohës qytetarët janë duke u ballafaquar me zgjedhje, duke mos i përfunduar mandatet qeveritë. Nevojitet që të kemi stabilitet dhe të merremi me çështjet konkrete të përditshmërisë së qytetarëve”, ka thënë Halimi.
“Sepse tanimë është e palogjikshme dhe e padrejtë për qytetarët tanë që gjatë gjithë kohës t’ia vëmë në fytyrë dhe në jetën e tyre çështjen e dialogut. Dialogu duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë dhe kushdo që do merr çështjen e qeverisjes së vendit, të merret me përditshmërinë e qytetarëve. Sepse siç po e shihni edhe ju ka pakënaqësi të madhe ndaj partisë që po udhëheq”, ka deklaruar Halimi.
Më tej ajo ka thënë se LDK-ja nuk frikësohet nga zgjedhjet, madje ka shtuar se ata po e hartojnë një program qeverisës.
“Prandaj është e rëndësishme që ne mos ta kemi synimin, jo sepse Lidhja Demokratike e Kosovës ka frikë nga zgjedhjet, sepse ne nuk kemi frikë nga zgjedhjet. Sepse tani kemi edhe një program qeverisës që është duke u hartuar dhe e ka një vizion të qartë se ku dhe si dëshiron ta shohë vendin tonë dhe zhvillimin e vendit tonë. Ideja jonë është që ta përfundojnë këtë mandat, të merren me çështje konkrete dhe ta lënë anash propagandimin”, përfundoi ajo