Në një përpjekje për ta bërë mallin e paligjshëm të dukej sikur të ishte një dhuratë e paketuar përpara se të dërgohej nga Kolumbia, banda donte të fshinte faktin se kokaina ishte prodhuar shumë më pranë.
Ajo prodhohej në një fabrikë të fshehur në një vilë të izoluar në Galicia, në veriperëndim të Spanjës.
Një bandë prej tetë vetësh punonte 24 orë, shtatë ditë në javë, pothuajse në izolim total për të prodhuar 150 kilogramë drogë. Por oficerët e policisë që shkatërruan bandën thanë se linja e sofistikuar e prodhimit mund të kishte nxjerrë 200 kilogramë kokainë në ditë, me një vlerë tregu prej 5.4 milionë dollarësh.
Policia spanjolle dhe analistët e krimit thanë se kjo ishte fabrika më e madhe e kokainës e zbuluar në kontinentin e Evropës deri më sot, duke shënuar një taktikë të re midis karteleve.
Në vend që të prodhojnë drogën në xhunglat e Kolumbisë ose Perusë, për të depërtuar përmes kontrolleve të policisë e për ta transportuar kokainën përtej Atlantikut, kartelet po ngrenë fabrika në Evropë për të kursyer para dhe për të ulur rreziqet.
“Kjo është pjesë e një prirjeje të re për të cilën duhet të jemi të vetëdijshëm,” i tha Zërit të Amerikës në kushte anonimiteti, kreu i Brigadës Qendrore të Narkotikëve të policisë spanjolle.
“Fabrika që zbuluam në qytetin Pontevedra në rajonin Galicia ishte më e madhja që është zbuluar deri më tani në Evropë”, tha ai. “Ne vlerësojmë se kjo bandë mund të ketë prodhuar rreth 200 kilogramë kokainë çdo ditë. Forca të tjera policore kanë thënë se ka laboratorë në pika të tjera”.
Banda fshehu 1.3 ton kokaine në formë paste, e cila më pas shndërrohet në formë pluhuri që shitet në rrugë, me makineritë e dërguara nga Amerika e Jugut.
Policia tha se ishte sasia më e madhe e këtij përbërësi e zbuluar ndonjëherë në Evropë në një fabrikë droge me bazë në kontinent.
E fshehur mirë
“Na u deshën 14 orë për të nxjerrë blloqet e kokainës nga këto makina. Kjo të jep një ide se sa mirë ishte fshehur”, tha oficeri i skuadrës së drogës.
Logoja e Supermenit ishte ngjitur në pakot e kokainës për të krijuar përshtypjen se ajo ishte paketuar në Kolumbi në rast se blerësit dyshonin në cilësinë e saj.
Policia arrestoi 18 të dyshuar në qytetin Pontevedra në rajonin Galicia në mars, por bastisja u bë publike vetëm kohët e fundit. Të gjithë të dyshuarit janë mbajtur në paraburgim në pritje të gjykimit në një datë të mëvonshme.
Tetë kolumbianë punuan gjatë gjithë javës në fabrikë pasi banda ua mori pasaportat dhe telefonat në mënyrë që të mos mund t’i jepnin policisë vendndodhjen e operacionit të drogës. Secilit anëtar të bandës iu dha një pseudonim për të fshehur identitetin e vërtetë.
Strategji të ndryshme
Laurent Laniel, analisti kryesor shkencor në Qendrën Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga, një organizatë e Bashkimit Evropian me qendër në Lisbonë, tha se fabrika spanjolle është e fundit në një seri operacionesh droge në kontinentin e Evropës.
“Mendoj se kjo është një strategji tjetër. Mund të mos zëvendësojë trafikun tradicional të kokainës së gatshme në Evropë. Por ka padyshim një prirje për të prodhuar sasi të mëdha kokaine në Evropë. Ky nuk është vetëm një incident i izoluar,” tha ai për Zërin e Amerikës.
Ai tha se policia holandeze ka bastisur dhjetë laboratorë midis viteve 2018 dhe 2021. Secili prodhonte mbi 100 kilogramë kokainë në ditë. Gjithashtu ka pasur bastisje në fabrika më të vogla në Belgjikë dhe Spanjë.
“Duket se pjesa e madhe e pastës së kokainës është kontrabanduar në materiale si plastika, druri, qymyri, çimentoja dhe asfalti që do të thotë se është e pamundur të gjurmohet për policinë,” tha zoti Laniel.
“Ndoshta është më e lirë dhe më pak e rrezikshme të kesh laboratorë masivë në Evropë, sesa të kontrabandosh drogën nga Kolumbia.”
Laniel tha se autoritetet duhet ta bëjnë më të vështirë për kriminelët që të kenë qasje në kimikatet që janë thelbësore për prodhimin e kokainës.
Në vitin 2021, Kombet e Bashkuara vlerësuan se çdo vit në botë prodhohet rreth 2000 tonë kokainë e pastër – me vlerë rreth 5.4 miliardë dollarë. Megjithatë, ky vlerësim është i pamundur të verifikohet.
Zoti Laniel tha se tregtia e kokainës është “në rritje” pasi procesi i prodhimit nga fabrika është më i sofistikuar se dhjetë vjet më parë që do të thotë se fitimet për bandat e drogës janë më të larta.
“Është një biznes shumë fitimprurës. Përdoret për të blerë armë, për të shkaktuar dhunë dhe korrupsion edhe në Evropë”, tha ai.