Pavarësisht vendimit të Gjykatës Komerciale e cila ia ndaloi kompanisë VisaMetric detyrimin e pagesës prej 30 eurosh për dërgesën postare të pasaportës, kjo pagesë ende nuk është pezulluar.
E çmimi prej 30 eurosh për dërgimin e një pasaporte është shumëfish më i lartë, pasi në postat private dhe në Postën e Kosovës, ky shërbim nuk e tejkalon shifrën prej 10 eurosh.
Iu ndalua me vendim gjyqësor praktika e detyrimit të aplikantëve për të paguar shërbimin postar në rastet kur aplikojnë për viza. Por, kompania VisaMetric, e cila është e kontraktuar nga Ambasada e Gjermanisë, po vazhdon avazin e vjetër, duke i faturuar 30 euro aplikantëve për shërbimin postar.
Në kushte anonimiteti, një qytetar e ka prezantuar faturën e pagesës për RTK-në.
Në faturë figuron shuma prej 30 eurosh të paguara për shërbimin postar në Visametric, pavarësisht vendimit të gjykatës.
Por, edhe përtej vendimit, çmimi prej 30 euro për një dërgesë duket të jetë joreal. Kjo për faktin se pasaporta e Kosovës peshon 38 gram, dhe se çmimet për dërgesë të pasaportës nga posta e Kosovës për një pasaportë nuk e tejkalojnë 10 euro.
“Kjo dërgesë mund të shkoj brenda orëve në regjion, çmimi për këtë dërgesë është 5.60 centë, nëse shkon jashtë regjionit në regjione të tjera është 6, 75 centë, por nëse dërgesa e njëjtë është për ditën e nesërme është 4.20 cent”, deklaroi Ferki Maxhuni, ud i drejtorit për Shërbime Postare.
Dërgesa e pasaportës nga Posta e Kosovës, klasifikohet si dërgesë më përmbajtje të rëndësishme.
Ndërkohë që as kompanitë e tjera private postare nuk kanë çmime më të larta për dërgimin e një pasaporte brenda Kosove nëse këtë e kërkon si individ.
Pavarësisht insistimit të RTK-së, zyrtarë të Visametric nuk kanë pranuar të flasin rreth kësaj teme, derisa tash e sa ditë as Ambasada e Gjermanisë nuk u është përgjigjur për këtë çështje.