Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka ngritur shqetësimin se prokuroria nuk po i trajton si duhet rastet me pronat e uzurpuara të shtetit, në Stankaj të Rugovës, në të cilat janë ndërtuar vila.
ATV-ja ka siguruar dosjen e plotë me detaje se si janë uzurpuar parcelat për 26 vila të banimit, në tokat që i takojnë Institutit Bujqësor të Kosovës.
Shtatë muaj më parë, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit kishte denoncuar publikisht uzurpimet në Stankaj të Rugovës. Meqenëse nuk pati reagim për këto denoncime, ai vendosi që pyetjen se në pronësi të kujt janë vilat, ta bëjë përmes rrjetit social, Facebook, duke publikuar edhe fotografi.
Por në fotografi nuk janë paraqitur të gjitha vilat. ATV-ja ka siguruar dosjen e plotë të pronave të uzurpuara në këtë pjesë të bjeshkëve të Rugovës, të cilat i takojnë Institutit Bujqësor në Pejë.
Ministria e Bujqësisë, në vitin 2022, kishte bërë një hulumtim, të cilin e posedon ATV-ja, sipas të cilit shihet se numri total i parcelave të uzurpuara në Stankaj është 41, me një sipërfaqe prej 90 hektarësh.
Pjesa më e madhe e sipërfaqes janë prona të lira, pa degradime e eksploatime. Një pjesë e madhe e sipërfaqes është e mbjellë me pisha ku ka kullosa. Ndërkaq, në disa parcela ka të ndërtuara objekte – vila banimi.
Në këtë sipërfaqe janë të ndërtuara 26 vila banimi.
Megjithatë, në bazë të fotografive të bashkëngjitura duket se uzurpatorët e kanë menduar mirë vendin se ku t’i ndërtojë ato.
Të gjitha vilat janë ndërtuar në afërsi të rrugës që lidh fshatrat, për t’iu dhënë qasje më të lehtë.
Për secilën prej tyre janë bërë fotografi e janë nxjerrë dokumente të pronësisë.
Por, në bazë të gjetjeve nuk është evidentuar se kush janë uzurpatorët e tyre.
Lidhur me denoncimin e ministrit Faton Peci, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka shpjeguar se lidhur me rastin kanë autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e informatave dhe se prokuroria që nga fillimi është marrë me këtë çështje.
Sipas tij, Prokuroria ka hetuar edhe ndërtimet e tjera dhe jo vetëm ato ndërtime që janë në tokë të shtetit.