Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë të hënën se Strategjia për Drejtësi Tranzicionale dhe themelimi i Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë janë objektivat kryesore në kuadër të ballafaqimit me të kaluarën.
“Marrë parasysh rëndësinë e këtij dokumenti strategjik, ju bëj thirrje të gjithëve që deri me datë 2 qershor 2023 të dërgoni në emailin zyrtar komentet, sugjerimet apo rekomandimet e juaja, të cilat do të adresohen nga Grupi Punues i ngarkuar me hartimin e kësaj Strategjie.
Haxhiu ka thënë se Draft Strategjia është hartuar nëpërmjet konsultimeve publike me grupet e viktimave të luftës, institucionet relevante dhe grupet e tjera të interesit.
“Në bashkëpunim me Integra dhe NSI, janë organizuar 30 fokus grupe me viktimat dhe përfaqësuesit e tyre nga të gjitha komunitetet, gratë, të rinjtë dhe studentët, punonjësit e sektorit privat, aktivistët e të drejtave të njeriut, punonjësit e arsimit, intelektualët, gazetarët, komunitetet fetare në Kosovë, profesionistët ligjor, sektori i sigurisë, dhe punëtorët social.Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në fokus grupe është 465, me pjesëmarrje të barabartë mes grave dhe burrave”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, ky proces është mbështetur nga Ambasada Holandeze dhe përveç kontributit të Grupit Punues, drafti është konsultuar edhe me ekspertë ndërkombëtar të drejtësisë tranzicionale, mbështetur nga Ambasada Zvicerane.