Cigaret elektronike tash e sa kohë po tymosen edhe në Kosovë. Ato gjenden lehtësisht në treg dhe shiten në mënyrë ilegale, ndërsa Ministria e Shëndetësisë konfirmon se trendi i përdorimit të tyre është në rritje. Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, thotë se nga këto cigare dëmtohet shëndeti i qytetarëve derisa kërkon që shitja e tyre të rregullohet me ligj sepse “shteti humb buxhet”.
Ky lloj i cigareve shitet në dyqane të vogla ilegalisht. Inspektorati i Tregut tashmë ka konfiskuar një sasi të tyre.
Ministria e Shëndetësisë tha se 32 shtete kanë ndaluar shitjen e cigareve elektronike, ndërsa shumë të tjera kanë bërë ndryshime në ligjet e tyre kundër duhanit.
“Aktualisht, ne adresimin e çështjes së cigarave elektronike shtetet deri tash kanë adaptuar dy qasje: Ndalimin e shitjes se tyre apo rregullimin e tyre me ligj. Janë së paku 32 shtete të botës që e kanë ndaluar shitjen e tyre, derisa 79 shtete të tjera kanë bërë ndryshime në ligjet e tyre kundër duhanit për shkak të këtyre produkteve të duhanit. Shtete të tjera janë në kerkim të adaptimit të zgjidhjeve më të përshtatshme për adresimin e kësaj çështje”, tha MSh.
“Cigaret nuk guxohet të tregtohen ilegalisht, shteti humb”
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se kanë formuar një komision dhe do të dalin me të dhëna se si po tregtohen ilegalisht cigaret elektronike.
“Ne si komision parlamentar për shëndetësi ka afërsisht dy muaj që kemi formuar komisionin për monitorimin e ligjit për duhanin, po i presim raportet në fund. Pasi ne kemi formuar këtë komisionin për mbikëqyrjen e ligjit për zbatimin e ligjit për duhanit ka filluar kjo fushata e ministrit Peci, në fund do të dalim me të dhëna statistikore të sakta sa është zbatuar cilat kanë qenë vendimet ndër vite, si po tregtohen cigaret elektronike ilegalisht, si po shiten ilegalisht dhe pastaj do të dalim me konkluzionë si komision, po e presim raportin e grupit punës për këtë projektligj për monitorimin e zbatimit të projektligjit për duhanin dhe pastaj dalim me rekomandime”, tha Haxhiu.
Ai tha se nga tregtimi ilegal i cigareve shteti është në humbje të buxhetit dhe kjo gjë duhet të rregullohet me ligj.
“Duhet të rregullohet me ligj, është çështje që nuk guxon të tregtohen ilegalisht edhe shteti humb nga buxheti. Mirëpo edhe nuk ka siguri për kontrollin e tyre sa i përket aspektit të dëmtimit të shëndetit duhet të rregullohet me lighj, jemi vonë mirëpo tani po e presim edhe raportin zyrtar sepse besoj që pas raportit zyrtar të komisionit, kemi kohën e duhur me shqyrtu edhe Qeveria dhe Kuvendi”, tha Haxhiu.
I njëjti shtoi se raporti në fjalë do t’i dërgohet Kuvendit.
“Me sa e shihni në çdo vend ka shitje të cigareve elektronike në mënyrë ilegale, është detyrë edhe e inspektorateve që një gjë të tillë me ndalu ose është detyrë e shtetit me ligj me rregullu. Raporti do ti dërgohet Kuvendit edhe raportohet në Kuvend. Shpresojmë që më shpejt e dërgojmë në Kuvend”, përfundoi Haxhiu.
“MINT ka sekuestruar cigare, kërkon ndihmën e qytetarëve për të dhënë informata se ku po shiten ato”
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, tha se gjatë inspektimeve në treg janë hasur cigare me mbishkrimin “HEETS” dhe “SOBRANIE” dhe të njëjtat janë sekuestruar.
“Inspektorati i Tregut gjatë inspektimeve të realizuara në tregun e brendshëm, gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit, ka hasur në produkte/cigare në veçanti me mbishkrimin “HEETS” dhe “SOBRANIE”, të cilat janë sekuestruar për shkak se të njëjtat janë vendosur në treg për shitje, pa dokumentacion mbi origjinën e produktit/pa prejardhje”, thuhet në përgjigjen e MINT.
Tutje, MINT thekson se kushdo që ka informata për shitjen e këtyre cigareve të bashkëpunojnë me shtetin
“Inspektorati i Tregut inspekton edhe objektet e vogla të shitjes së produkteve dhe në çdo rast që konstatohet parregullsi apo mosrespektim të ligjeve, ndërmerren masa ndëshkuese dhe apo sekuestrim të produkteve. Inspektorati i Tregut në vazhdimësi vepron në tregun e brendshëm, si dhe shkëmben informacione me institucionet/organet ligj-zbatuese, më konkretisht me Doganën dhe Policinë e Kosovës. Kushdo që ka informacione, që në ndonjë kioskë apo dyqan ofrohen për shitje këto produkte, Inspektorati i Tregut është i hapur për bashkëpunim dhe për veprim”, thuhet në përgjigjen e tyre.
MINT, rithekson se Inspektorati i Tregut ka sekuestruar produktet e duhanit, të cilat janë vendosur në treg, në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë.
MINT thotë se janë duke ndaluar ekspozimin e cigareve elektronike dhe ndalimin e tyre tek të miturit.
“Lidhur me produktet e duhanit, Inspektorati i Tregut me prioritet është duke mbikëqyrë zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit, ku janë duke ndaluar ekspozimin edhe të cigareve elektronike, obligimin për vendosjen e shenjës +18 në vende të dukshme për konsumatorë, ndalimin e shitjes së cigare fëmijëve të mitur etj”, përfundon MINT.
Sa janë të dëmshme cigaret elektronike?
Ministria e Shëndetësisë tha se sot në Kosovë vërehet rritje e përdorimit të cigareve elektronike dhe për më keq edhe një reklamim i hapur i tyre.
Ministria e Shëndetësisë thotë se nikotina krijon shumë varshmëri dhe është konstatuar se të miturit që nuk kanë pirë kurrë duhan që përdorin ENDS mund të dyfishojnë mundësinë e tyre për të filluar të pinë cigare më vonë në jetë.
“Sot ka shumë lloje të ndryshme të cigareve elektronike në përdorim, të njohura gjithashtu si sisteme elektronike të shpërndarjes së nikotinës (ENDS) dhe ndonjëherë si sisteme elektronike të shpërndarjes jo-nikotinike (ENNDS). Këto sisteme ngrohin një lëng për të krijuar aerosole që thithen nga përdoruesi. Këto të ashtuquajtura e-lëngje mund të përmbajnë ose jo nikotinë dhe zakonisht përmbajnë aditivë, shije dhe kimikate që mund të jenë toksike për shëndetin e njerëzve.Disa produkte që pretendojnë se janë pa nikotinë (ENNDS), pas hulumtimeve të bëra nga ekspertë të fushës është konstatuar se përmbajnë nikotinë dhe rrjedhimisht edhe janë produkte të duhanit..Konsumimi i nikotinës tek fëmijët dhe adoleshentët ka ndikime të dëmshme në zhvillimin e trurit, duke çuar në pasoja afatgjata për zhvillimin e trurit dhe potencialisht duke çuar në çrregullime të të mësuarit dhe ankthit. Nikotina krijon shumë varshmëri dhe është konstatuar se të miturit që nuk kanë pirë kurrë duhan që përdorin ENDS mund të dyfishojnë mundësinë e tyre për të filluar të pinë cigare më vonë në jetë”, tha MSh.
Prandaj, MSh thekson se përdorimi i ENDS mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe çrregullimeve të mushkërive si dhe ekspozimi i fëmijëve në këso ambientesh paraqet rreziqe serioze.
“Disa studime të fundit sugjerojnë se përdorimi i ENDS mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe çrregullimeve të mushkërive. Ekspozimi ndaj nikotinës tek gratë shtatzëna mund të ketë pasoja të ngjashme për zhvillimin e trurit të fetusit.Përdorimi i ENDS gjithashtu mund t’i ekspozojë jo-duhanpirësit dhe kalimtarët ndaj nikotinës dhe kimikateve të tjera të dëmshme. Sistemet e shpërndarjes elektronik kanë qenë gjithashtu të lidhura me një sërë lëndimesh fizike (per shkak te shperthimit te baterive), duke përfshirë djegiet nga shpërthimet ose keqfunksionimet, kur produktet nuk janë të standardit të pritur ose janë të manipuluara nga përdoruesit. Ekspozimi aksidental i fëmijëve ndaj lëngjeve elektronike ENDS paraqet rreziqe serioze pasi pajisjet mund të rrjedhin ose fëmijët mund të gëlltisin lëngun helmues elektronik”, vijon MSh.
MSh, tregon përbërjen e rrezikshme të cigareve elektronike “këto produkte përgjithësisht përmbajnë Nikotinë, toksikantë, metale te ndryshme, por edhe karcinogjen apo substance që shkaktojnë kancerin”.
“Çdo produkt i duhanit është i ndaluar t’u shitet personave nën 18-vjeç, me Ligjin për Kontrollin e Duhanit dhe kjo ka të bëjë me të gjitha llojet e cigareve dhe produkteve të duhanit”, përfundon MSh.