Në Bruksel ka nisur takimi trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Rundi i ri i dialogut pritet të ketë në fokus zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të saj.
Paraprakisht, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin.
Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Pritet që në takimin e sotëm të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por të bisedohet edhe për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit.