Kuvendi i Kosovës ka qenë nikoqir i seminarit “Promovimi i një parlamenti me ndjeshmëri gjinore”, të organizuar nga Asambleja Parlamentare e Frankofonisë, Rrjeti i Grave Parlamentare të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë dhe me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Seminari në fokus kishte marrjen parasysh të barazisë gjinore në procesin legjislativ.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përmendur veprimet që po i ndërmerr Kuvendi i Kosovës si ligjvënës për ta luftuar pabarazinë.
Konjufca tha se Kosova po bën veprime të shumta dhe po merr masa të vazhdueshme për ta luftuar pabarazinë. “Në vitin 2020, Kuvendi e miratoi Konventën e Stambollit, kurse vitin e kaluar u miratua strategjia kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave”.
“Njerëzimi, ashtu që të jetë njerëzor, nuk është i mundshëm pa barazinë e gruas dhe të burrit. Prandaj më vjen mirë që Rrjeti i Grave të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, përmes këtij seminari po e vë në spikamë barazinë gjinore, sepse pa barazi gjinore nuk ka barazi njerëzore. Barazia njerëzore është abstrakte e bile edhe subversive nëse nuk e merr formën praktike e konkrete të barazisë gjinore. Aspekti bazik i qytetërimit është barazia e grave me burrat”, tha Konjufca.