Megjithëse matematikisht nuk është konfirmuar, fytyrat e lojtarëve të Arsenalit në fund të disfatës së tyre 3:0 kundër Brightonit të dielën e bënë të qartë se ata janë të vetëdijshëm se gara për titull në Premierligë ka marrë fund.
Disa prej tyre qëndruar të pa lëvizur duke i ngulur sytë në distancë, e të tjerët u ulën në fushë dhe e shikuan tokën, derisa kundërshtarët e tyre vrapuan drejt tribunës së tifozëve mysafirë për të festuar me ta.
Kjo ndeshja ishte mundësia e fundit për Arsenalin. Topçinjve iu nevojitej një skenar i pamundshëm që Manchester City në rrëshqiste në tri ndeshjet e mbetura, por një fitore ishte detyrim nëse ata donin të mbesnin në garë për titull.
Por ata kapitulluan pasi Brightoni ua shënoi tri gola në pjesën e dytë për t’i vazhduar përpjekjet përrallore për kualifikim në futbollin evropian sezonin e ardhshëm.
Kjo disfatë nënkupton se Arsenali mbetet katër pikë mbrapa skuadrës së Pep Guardiolës dhe i ka vetëm edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit. City e di tani se një fitore kundër Chelseat në Etihad të dielën e ardhshëm nënkupton se titulli do të jetë i tij edhe zyrtarisht.
“Do të jetë shumë e vështirë tani, duhet të jemi të sinqertë. E vështirë ta pranosh”, tha kapiteni i Arsenalit Martin Odegaard.
“Nuk është një ndjesi e mirë për momentin. Mënyra se si luajtëm, posaçërisht në pjesën e dytë, nuk e di se çfarë ndodhi sinqerisht”.
Ai shtoi: “Ndiejmë se nuk ka më shumë shpresë”.
Ndërkohë, trajneri Mikel Arteta shprehu keqardhje për paraqitjen e skuadrës së tij në pjesën e dytë.
“Matematikisht ende është e mundur, por tani është e pamundur të mendosh për këtë. Ne duhet ta kapërdijmë këtë rezultat dhe paraqitjen në pjesën e dytë, ta kuptojmë pse ndodhi dhe të kemi reagim ndryshe”, tha Arteta.