Bedri Hamza, ish-ministër i Financave, aktualish kryetar i Komunës së Mitrovices pritet që sot të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancën e fundit në këtë rast kishte dhënë dëshmin e tij edhe Bajram Hasani, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, i cili kishte deklaruar se nëse nuk do paguheshin këto 53 milion, më vonë Kosova do të duhej të paguante 200 deri në 300 milionë euro.
Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.
Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi