Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë ditë më parë se letra të cilën Federica Mogherini, ia kishte dërguar ish kryeministrit Isa Mustafa, ku e siguronte se Asociacioni nuk do të përbënte nivel të tretë të pushtetit në Kosovë, po i ndihmon shumë Kosovës.
Madje, si rrallë herë, një zyrtar i lartë i VV-së ka thënë për Mustafën bravo i qoftë, sepse sot letra e Mogherinit po i ndihmon pushtetit aktual.
Në anën tjetër, ish kryeministri Mustafa ka thënë se do të ishte shumë normale që njerëzit ta thonë të vërtetën.
Askujt, sipas tij, nuk i ndihmon të vazhdojë të insistojë se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar marrëveshjen për Asociacionin, të vitit 2013 dhe dokumentin e vitit 2015 si jokushtetuese.
“Atë mundesh me ua shitë “analfabetëve funksional” që s’lexojnë asnjë dokument sikurse edhe “xhonturqve” të LDK-së të martuar në VV, por jo njerëzve normal. Sepse, Gjykata ka thënë: Asociacioni do të themelohet sipas Marrëveshjes së vitit 2013. Qartë”, ka thënë Mustafa për IndeksOnline.
Më tutje, ai ka thënë se Konjufca e ka kuptuar këtë dhe duke e anashkaluar pak bërthamën e çështjes, ka vlerësuar ekzistencën e letrës së Mogherinit.
“Ka bërë mirë. Sepse është gabim ta mashtrosh veten dhe të tjerët kur e di se as loja me fjalët “Vetmenagjim” apo “Asociacion/Bashkësi” nuk të ndihmon. Në vend të paradigmave është mirë të shfrytëzohet çdo mundësi që kërkesës tepër të madhe të ndërkombëtarëve për Asociacionin t’i gjindet një zgjidhje e cila nuk e cenon rendin kushtetues”, ka theksuar ish kreu i LDK-së.
Më tutje, ai ka thënë se atmosfera ka ndryshuar ta partnerët tanë.
“Vërej se deri tani ata kërkonin zgjidhje për Kosovën; tani po kërkojnë zgjidhje për serbet e Kosovës. Është një presion i paparë ndonjëherë. Ne mund të themi le të bëhet si të bëhet; ta thyejnë qafën këta që e krijuan këtë situatë me Veriun, por në fakt do të na thehet qafa të gjithëve nëse nuk punojmë bashkë dhe nuk shfrytëzohet çdo shteg për të dalë nga kjo situatë. Shteg është pika 2 e dokumentit 2015, që që ia pranon rolin Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e Statutit të Asociacionit dhe të çdo ndryshimi të tij, që e ka nënshkruar dhe pranuar edhe Serbia. Sikurse edhe letra e Mogherinit. Ne jemi munduar ta bëjmë tonën, si argat të Kosovës, e jo të Serbisë. Tani e ka rendin argatllëku i Albinit dhe Vjosës. Le ta tregojnë veten”, ka përfunduar Mustafa.