Me katër-pesë akorde këndonte ndonjë këngë aty-këtu, por tash ka ndërruar instrument dhe zërin ia ka kthyer politikës. Klisman Kadiu, këshilltar i Besnik Bislimit, tashmë ka ndaluar së kënduari ‘kovera’ në YouTube dhe i është kthyer ‘koverit’ politik. Hiti i tij i fundit? Një denoncim hiç melodik ndaj kreut të politikës së jashtme dhe të sigurisë evropiane, Josep Borrell dhe emisarit evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Klismani, tash në zhanre jomuzikale, gjeti distonancë të madhe tek evropianët. Ai, siç shihet në shkrimet e tij në Facebook, ka mbajtur një vesh të vëmendshëm në politikat e tyre. Gjersa shkruan, “lajtmotiv” i ka qëndrimet e shefit të tij Besnik Bislimi, por “kreshendon”-n e arrin gjersa i afrohet Borrellit dhe Lajçakut.
Fortissimo-ja e tij? “Pse Parlamenti Evropian po dënon Serbinë për shkelje të marrëveshjes, e Borrell, Lajçak po refuzojnë ta bëjnë këtë?”, shkroi Kadiu në përmbylljen e shkrimit.
I ri për nga mosha, por “insegnante di musica” e ka Bislimin. Andaj, edhe marrja seriozisht e tij. Madje, i ngjan tejet.
Duke ia bërë PR-in shefit të tij gjatë një raportimi në një komision parlamentar, Kadiu do të lëshonte një frazë që tejkalon parametrat e logjikës formale: paralogjizëm. Nuk dihet nësë logjika formale gëzon respektin e tij si një parakusht i të menduarit të sakt dhe korrekt.
Katror të rrumbullakët nuk ka. Semantika nuk e lejon sepse i referohet një seti konceptual të zbrazët dhe pa përmbajtje. Por, Kadiu iu afrua shumë sfidimit të një kornize formale të të menduarit. Opozita, tha ai, pati “kundërthënie substanciale”. Pra edhe kundërthënie edhe substanciale, (s’)mendon Kadiu.
Nuk dihet nëse ka mësuar logjikë në shkollë fillore, të mesme ose në studimet universitare, por sidoqoftë, edhe nëse ka mësuar, del të mos ia ketë lënë shenjë