Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka treguar për raportet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Për hir të së vërtetës raportet me Albinin në aspektin njerëzor, në aspektin shoqëro janë super. Kemi realisht raport shumë të mirë. Albini është një person që ka shumë humor dhe bëjmë shumë humor. Që kur kemi pasur problem në raportin tonë, unë kam zbuluar humorin e Albinit”, ka thënë Rama.
Sipas tij, edhe në relacionin e punës raportet janë korrekte.
“Ndërsa, në aspektin e punës, punojmë mirë, kemi goxha ndërveprim në ato programet tona të përbashkëta. Kur vije puna të Serbia dhe marrëdhëniet me Serbinë kemi pasë ato diferencat tona, që unë e kuptoj shumë mirë pozicionin e Qeverisë së Kosovës dhe te Albinit. Ajo që ka qenë me pak e qartë ka qenë mos kuptimi, sipas meje, i Albinit dhe i tyre për pozicionin e Qeverisë tonë dhe timin”, ka thënë Rama, për Nacionale.
Kryeministri shqiptar ka folur edhe për maturin e Kurtit në procesin e dialogut me Serbinë.
Ai ka thënë se në këtë proces tani Kurti është bërë më kryeministër.
“Sa i përket dialogu, unë jam shumë optimist. E shoh Albinin shumë më kryeministër se sa që e kam parë kur ka qenë në hapat e para të dialogut, pasi mori detyrën e kryeministrit. Kryeministër nuk të bën momenti kur zgjidhesh, kryeministër të bën momenti kur duhet të provohesh dhe testohesh në zjarrin e çështjeve të ndezura”, ka thënë Rama.