Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha ka thënë se përpos që Qeveria e Republikës së Kosovës kryesuar nga Kryeministri Kurti ka humbur legjitimitetin etik të saj, e njëjta po rrezikon edhe bërthamën kombëtare.
Me anë të një postimi në Facebook, Berisha pretendon se Qeveria ka përzgjedhur persona të lidhur me UDB-në në pozita të ndryshme.
“Qeveria që erdhi në pushtet me parullën e bashkimit kombëtar, në njëren anë, në kryeqytetin e Europës ka përzgjedhur ambasador me histori të UDB-ës, (shërbimi famëkeq jugosllav i njohur për veprimtarinë antishqiptare), në tjetrën anë në kryeqytetin tonë përzgjedh drejtor të Agjencise për Sekuestrim dhe Konfiskim të Pasurisë, njeriun e UDB-së, i njohur për burgosjen e patriotëve shqiptarë duke përfshirë edhe ish nënkryetarin e LDK-së dhe kryetar i Kuvendit, Kolë Berisha. Kjo qeveri jo vetëm që ka humbur çdo legjitimitet etik, por me veprimet e saj ajo është duke rrezikuar bërthamën kombëtare deri në ekzistencën e shtetit”, ka shkruar ai.