Avni Selmanaj është shpallur sërish fajtor dhe është dënuar me 12 vite burgim për akuzën se me dorezë të thikës e kishte goditur në fytyrë D.M., e që si pasojë e këtyre lëndimeve i njëjti më 29 prill 2018, kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore të Prizrenit nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sejrani tha se të akuzuarit Selmanaj në dënimin e shqiptuar prej 12 vitesh do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 7 prilli 2018 dhe se të njëjtit i vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Selmanaj është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 1 mijë euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave krimit shumën prej 50 euro, të gjitha këto pas plotfuqishmërisë të këtij aktgjykimi.
Pala e dëmtuar, Shkurte Muharremaj, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Ndryshe, në këtë rast së bashku me të akuzuarin Selmanaj, për vdekjen e D.M është ngarkuar edhe i akuzuari Faruk Muça, mirëpo i njëjti pas pranimit të fajësisë, më 1 mars 2023, nga Gjykata Themelore në Prizren është dënuar me 7 vite burgim efektiv.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren më 24 gusht 2022 kishte shpallur aktgjykim dënues, ku të akuzuarin Faruk Muça e kishte dënuar me 10 vite burgim, ndërsa të akuzuarin Avni Selmanaj më 13 vite burgim. Mirëpo, Gjykata e Apelit, e kishte kthyer rastin në rigjykim më 15 dhjetor 2022.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, thuhet se i akuzuari Avni Selmanaj më 7 prill 2018, në kafenenë “Wullkani” në fshatin Gjinoc të Komunës së Suharekës, në gjendje të dehur pas një fjalosje brenda në lokal përleshet me të ndjerin D.M., e pasi që tani i ndjeri del jashtë dhe arrin te automjeti tij, i akuzuari Selmanaj e godet me një dorëz të thikës një pjesën e përparme të fytyrës, në anën e majtë të kokës, i cili më pas vdes më 29 prill 2018 në QKUK.
Për këto veprime, i akuzuari Selamanaj po ngarkohet me veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189, paragraf 5 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.1 të KPRK-së.
Ndërsa, dispozitivin i dytë i aktakuzës e ngarkon të akuzuarin Faruk Muça, se në kohë dhe në vend të njejtë, ndërhyn në ndërmjetësim, me ç’rast kishte goditur tani të ndjerin fuqishëm me grushte dhe i cili nga pjesa e pasme e kokës kishte rënë në beton, ku i shkakton thyerje viezore në regjionin zverkor të anës së majtë, regjionit të pasëm të kokës, ku tani i ndjeri D.M ndërron jetë më 27 prill 2018.
Për këto veprime, i akuzuari Muça po ngarkohet me veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189, paragraf 4 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.1 të KPRK-së.