Një sprovë të madhe për drejtësinë në prag të zgjedhjeve, e ka cilësuar kryeministri Edi Rama ndalimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” për Himarën Fredi Beleri. Në një reagim në Twitter, kreu i qeverisë thekson se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar.
“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!”
Ai bëri thirrje për respektim të organeve të drejtësisë dhe mos nxitim me konkluzione politike.
“Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”.
Beleri u arrestua pas mesnate, dhe akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje, i kryer në bashkëpunim.