I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka folur për modelin kroat të Asociacionit duke thënë se për ta është i pranueshëm modeli që është i bazuar në normat e BE’së, shkruan Gazeta Metro.
Duke folur për qëndrimin e Bashkimit Evropian mbi modelin kroat të pakicave, Lajcak ka thënë se BE-ja pranon atë që është në pajtim me vlerat evropiane.
“Për BE-në e pranueshme është ajo që është e bazuar në normat dhe vlerat e BE-së, dhe që është në pajtim me modelet ekzistuese evropiane”, ka deklaruar ai para mediave pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.
Ai po ashtu para gazetarëve tha se gjatë ditës do të ketë vizitë edhe në veri të Kosovës për të kuptuar situatën atje.
“Kam ardhur në Prishtinë sot për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit, pas takimit të 2 majit. Është vërtetë e rëndësishme që të kemi një kuptim të qartë për hapat e ardhshëm. Të njëjtin diskutim do ta bëjë nesër në Beograd. Unë do të takoj kryenegociatorët, zotëri Bislimin dhe Petkoviqin të hënën në Bruksel”, ka thënë Lajcak.
Ai është shprehur se duhet fokusuar te normalizimi.
“Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim. Dhe ne duhet patjetër të fokusohemi plotësisht te normalizimi”, ka shtuar Lajcak.
Emisari evropian, pas vizitës në Prishtinë, pritet të shkojë edhe në Beograd.
Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.
Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.